Testi PISA është mbajtur tashmë në të gjitha komunat e Kosovës.
Testi që vite më parë e renditi Kosovën te shtetet më të dobëta, këtë vit është zhvilluar në mënyrë digjitale.
Por përkundër kësaj nxënësit nuk kanë pasur problem në lidhje me realizimin e testit.
Valmir Gashi këshilltar i ministrit të Arsimit, ka thënë për lajmi.net se në fillim të testit, në disa shkolla ka pasur probleme të vogla.
Por që sipas tij, ato janë sanuar menjëherë.
“Testi ka përfunduar në të gjitha komunat e vendit, pjesëmarrja ka qenë afro 95%. Nuk ka pasur probleme, veç në fillim te disa shkolla që kanë pasur probleme me kompjuterë. Por që janë sanuar menjëherë”, ka thënë këshilltari i Shyqiri Bytyqit.
Gashi tutje ka thënë se pritet ngritje e lartë e Kosovës në renditjen totale.
“Duke pasur parasysh angazhimin e të gjithëve, pritet që Kosova të jetë në mesin e shteteve me ngritje të lartë. Pra ndërmjet cikleve 2015-2018”, ka thënë Gashi për lajmi.net
Ai ka bërë të ditur se vetëm në 10 shkolla ka pasur nevojë për një sesion pasues të testit PISA.
Mbarëvajtjen e këtij testi kohë më parë e kishte përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.