Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Gramos Shabani dhe Edona Haliti, aktvendim ky i siguruar nga KALLXO.com, thuhet se i pandehuri Gramos Shabani përmes telefonit i ka dhënë udhëzime bashkëshortes së tij Edona Halitit për përgatitjen e sulmit vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 2 qershor 2018, i pandehuri Gramos Shabani, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjnë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtareve të KFOR-it në Kosovë si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist”, thuhet në aktvendimin mbi caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga KALLXO.com.
Në aktvendim thuhet se Gramos Shabani përpos në Kosovë, ai me dashje direkte i ka planifikuar përgatitjet e akteve terroriste edhe në Belgjikë dhe në Francë, pasi që i njëjti është edhe shtetas belg.
Sipas këtij aktvendimi për caktim të masës së paraburgimit, i pandehuri Gramos Shabani ka planifikuar sulm vetëvrasës në shtetet e Belgjikës dhe Francës në vende të frekuentuara me qytetarë, por që pas përgjimit të bisedave telefonike në mes të të dyshuarve, Policia e Kosovës i ka arrestuar të njëjtit.
“Pas implementimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimit të bisedave në vende publike dhe private nga ane e Policisë së Kosovës, i njëjti me datë 5 qershor 2018 është arrestuar”, thuhet në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit të cilin e posedon KALLXO.com.
Për shkak të këtyre veprimeve inkriminuese, në bazë të aktvendimit për paraburgim ,Gramos Shabani dyshohet të ketë kryer veprat penale rekrutim në terrorizëm si dhe përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kurse për të pandehurën Edona Haliti, thuhet se ajo në bashkëveprim me të pandehurin Gramos Shabani është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, pasi që ka planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.
Lexo po ashtu:
Dështimi i planit të çiftit kosovar për sulm kamikaz kundër KFOR-it
Dështimi i planit të çiftit kosovar për sulm kamikaz kundër KFOR-it
Prandaj e njëjta dyshohet se ka kryer veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lidhur me veprat penale kryerja e veprës terroriste dhe ndihmë në kryerjen e terrorizmit.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, thuhet se pas analizimit në detaje të shkresave të lëndës të përmbajtura nga kallëzimi penal dhe veçmas në raportin njoftues të Policisë së Kosovës mbi implementimin e masave të fshehta të hetimit të vëzhgimit, përkatësisht hetimit të fshehtë të bisedave në vende private dhe publike konsiderohet se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit kundrejt dy të pandehurve, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Prokuroria Speciale kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
“Gramos Shabani është shtetas belg dhe se ekziston frika e bazuar se po qe se të pandehurit do të jenë në liri do t`i qasen arratisë për t’i ikur përgjegjësisë penale dhe në këtë mënyrë të dy së bashku do të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Në këtë kërkesë thuhet se në këtë çështje penale ekzistojnë edhe disa të dyshuar të tjerë dhe se pas përfundimit të hetimeve priten veprime konkrete edhe ndaj tyre.
Në lidhje me pretendimet e prokurorisë i pandehuri Gramos Shabani kishte thënë se është i pafajshëm, pasi që nuk ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.
E pafajshme ishte deklaruar edhe Edona Haliti, e cila kishte thënë se është e pafajshme dhe se asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.
Sipas kësaj kërkese të paraqitur nga ana e Prokurorisë Speciale ekziston dyshimi i bazuar se Gramos Shabani e Edona Haliti i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, bazohet në raportin e Policisë së Kosovës DKT në Prishtinë, mbi implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit në veçanti hetimit të bisedave në vende publike dhe private të përfshira në detaje në raport të policisë, biseda të cilat janë bartur në CD dhe të cilat i janë dorëzuar gjykatës.
Lidhur me këto pretendime në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit të marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Alltën Murseli, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit dyshohet se i kanë kryer veprat penale të lartcekura dhe se ekzistojnë arsyet e bazuara se po të gjenden në liri, do të mund të pengonin rrjedhën e procedurës penale duke fshehë, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprave penale si dhe duke ndikuar tek njëri tjetri, në dëshmitarë eventual me të cilët të njëjtit kanë qenë në kontakt përmes rrjeteve sociale, si dhe në bashkë-kryesit të cilët janë nën hetime.
Prandaj sipas gjyqtares Alltën Murseli, këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç që nga data 6 qershor e deri më 6 korrik 2018.