17 vite më parë në luftimet e rrepta që u zhvilluan në Grykën e Llapit e në mbrojtje të popullatës ranë dëshmorët : Mentor Retkoceri, Avdyl Nimani, Abit Sinani, Hasan Jashari, Ahmet Shabani, Milaim Qerimi, Ilaz Selimi dhe Musë Qerimi

17 vite më parë në Grykën e Llapit forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Forcat ushtarake e policore serbe sulmojnë nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Në këto anë u zhvilluan luftime të rrepta në mes të UÇK – së dhe njësiteve ushtarako – policore dhe paramilitare serbe.

Gjatë asaj kohe ushtarët e UÇK-së ishin të palëkundur nga pozicionet e tyre. Në luftime e sipër bien heroikisht disa dëshmor të UÇK-së. Kështu në fshatin Sylevicë bie dëshmor Mentor Retkoceri, në fshatin Reçicë në mbrojtje të popullatës ra dëshmori Avdyl Nimani, në në fshatin Zhiti te vendi i quajtur “Përroi i qershisë” ranë dëshmorët Abit Sinani, Ahmet Shabani dhe Hasan Jashari,ndërkaq derisa ishin duke qëndruar të palëkundur në pozicionet e UÇK –së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, bien dëshmorët Milaim Qerimi, Ilaz Selimi dhe Musë Qerimi.
Në nderim të këtyre dëshmorëve edhe në këtë përvjetor tek vendet e rënies dhe tek varrezat e tyre do të mbahen homazhe dhe vendosen kurora lulesh si dhe do të evokohen kujtime nga familjarët,shokët e luftës dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga UÇK-së.