Sot në nëntëmbëdhjetë vjetorin e rënies përkujtohet dëshmori i kombit Besnik Restelica.
Me këtë rast nga ora 13 do të bëhen homazhe tek varri i dëshmorit ku pritet që përpos familjarëve të dëshmorit të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së, bashkëveprimtar të dëshmorit dhe qytetarë tjerë liridashës nga Llapi dhe vendet tjera të Kosovës
BESNIK (MUHARREM) RESTELICA
( 18 . 04 . 1967 – 24 . 02 . 1997 )
Në një familje të njohur patriotike në Besianë u lind dëshmori i kombit Besnik Restelica. Prindërit e tij nënë Xhezidja dhe babë Muharremi kishin gjashtë fëmijë, dy vajza (Magbulja dhe Shpresa) dhe katër djem (Enveri,Besniku, Bedriu dhe Fahriu). Që nga fëmijëria Besniku njihej me emrin përkëdhelës – Daluku, me të cilin emër e thërrisnin të afërmit dhe shokët e tij, dhe kështu me këtë emër njihej në qytetin e Besianës e më gjerë. Shkollën fillore e kreu në “Shaban Shala”, të Mesmen Teknike i kreu në Besianë me sukses të shkëlqyeshëm. Ndërsa studimet në Fakultetin Xehetari – Metalurgji i kreu në Mitrovicë. Diplomoi në degën e Xehetarisë me 13.06.1996 ku mori titullin Ing. i dip. i xehetarisë.
Rrugën patriotike e trashëgoi nga babai Muharremi i cili ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Për këtë ai ishte vazhdimisht nën vëzhgimin e UDB-ës serbe.
Veprimtarinë e tij patriotike aktive, Besniku e zhvilloi gjatë viteve 1989-1990 kur organizoheshin demonstrata kundër okupatorit serb. Besniku në këto aktivitete liridashëse ishte njëri nga pjesëmarrësit aktiv të demonstratave në Besianë, Prishtinë e Mitrovicë.
Gjatë studimeve në Mitrovicë në vitin 1995 iu bashkua radhëve të UÇK-së së bashku me Asllan Selimin nga Açareva. Kjo ishte bërë me kërkesën e Rexhep Selimit, që në atë kohë ishte anëtarë i SHP të UÇK-së.
Besniku gjatë kësaj kohe veprimtarinë e tij atdhetare e zhvilloi në Zonën Operative të Drenicës deri në vitin 1997. Ai mori pjesë në shumë aksione që zhvilloheshin asokohe në këtë zonë kundër okupatorit shekullor.
Besniku dallohej me zgjuarsinë e tij. Ai dinte të ofrohej me hallexhinjtë dhe dinte të gjente gjuhën e përbashkët me ta dhe i inkurajonte me fjalë shpresëdhënëse se së shpejti do të krisnin pushkët e lirisë dhe populli një herë e përgjithmonë do ta fitoi lirinë dhe nga këtu ta shporr okupatorin.
Edhe veprimtaria e Besnikut nuk i shpëtoi syrit të armikut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ai kishte qenë në përcjellje në çdo hap deri në ditën e arrestimit në shtëpinë e tij në Besianë.
Lidhur me veprimtarinë patriotike të militantit revolucionar, Besnik Restelica, shokët e tij thonë se familja dhe shtëpia e Besnik Restelicës ishte bazë besnike e luftëtarëve të UÇK- së. Në këtë familje UÇK – ja kishte një ndër bazat më të sigurta.
Në kohën kur ishin krijuar kushtet që Besniku t’u bashkëngjitej formacioneve të Zonës së Llapit të udhëhequr nga komandant Zahir Pajaziti, në kohën kur duhej të dëgjohej edhe më fuqishëm pushka e Besnik Restelicës, UDB – ja e arreston Besnikun me disa shokë të tjerë.
Ishte 30 janari i vitit 1997, aty rreth orës 4 para mëngjesit, 50 – 60 policë të armatosur deri në dhëmb e rrethojnë shtëpinë e Besnik Restelicës. Atë natë në shtëpinë e tij ishte mysafir edhe shoku i tij, Sylejman Jashari, me të cilin kishin biseduar gjatë tërë natës dhe sigurisht kjo nuk u kishte shpëtuar pa e vëzhguar bashkëpunëtorët e okupatorit. Lidhur me këtë vëllai i Besnikut, Fahriu shprehet se “Atë natë në shtëpinë tonë ishte Sylejman Jashari, një shok i Besnikut, dhe ne s’kishim bërë gjumë terë natën. Rreth orës 4 dëgjojmë të lehurat e qenve, dhe menjëherë përplasjen e dyerve me tërbim. Dola jashtë dhe shoh plotë uniforma të policisë që futeshin me nxitim në oborrin e shtëpisë sonë. U ktheva brenda e i them babë Muahrremit: “ Babë, shkiet na kanë rrethua, janë nja 50 – 60 veta.” Pa arritur te dhoma ku po pushonin Besniku e Sylejmani, policët na rrëmbyen mua dhe babin dhe na i vunë prangat në duar dhe na nxorën jashtë në oborr. Rreth 20 minuta na mbajtën të shtrirë përtokë në atë acar dhe dëborë. Dëgjonim zërin e motrës Magbule e cila po protestonte kundër policëve. Deri në orën 7 xhelatët fashistë përmbysnin çdo gjë në shtëpinë tonë, ndërkaq Besnikun dhe Sylejmanin i kishin lidhur me pranga dhe ua kishin qitë nga një thes të zi mbi kokë, dhe me qyta e kondak pushke i torturonin duke u thënë: “Tregoni ku i keni fshehur armët?”
Nga aty Besnikun e dërgojnë bashkë me shokun e tij në Burgun e Prishtinës ku ka qëndruar 25 ditë duke iu nënshtruar torturave më çnjerëzore të cilave u qëndroi dhe për asnjë çast nuk u ligështua.
Besniku u arrestua kur çdo gjë ishte gati që të binte në kontakt me komandantin e ZOLL-it, Zahir Pajaziti dhe të vazhdonte aktivitetin në masivizimin dhe shtrirjen UÇK-së në të gjitha pjesët e Llapit. U arrestua një ditë para se të binin Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Pestovë të Vushtrrisë.
Me arrestimin e Besnik Restelicës, UÇK – së iu shkëput një hallkë shumë e rëndësishëm dhe iu nda nga gjiri i saj ndër bijtë më të devotshëm. Por edhe pse u arrestua dhe u torturua mizorisht nga barbarët serbë, Besniku nuk u ligështua as nuk u thye, po qëndroi heroikisht. Ashtu siç ishte i fortë dhe i vendosur të qëndronte para torturave, pa nxjerrë asnjë sekret për shokët dhe për organizmin e UÇK – së. Dhuna xhelatëve fashist shkoi deri aty sa Besnikut ja morën jetën, por pa e thyer dhe pa mundur t’ia nxjerrin asnjë fjalë dhe pa mundur ta vrasin veprën e tij. Vrasja e Besnikut në lokalet e Burgut të Prishtinës ishte shumë e dhembshme për llapjanët, shokët e tij dhe për gjithë UÇK – në. Familja humbi birin e saj të shtrenjtë e UÇK – ja humbi luftëtarin më të mirë dhe më të fortë që kishte aso kohe.
Besniku me qëndresën e tij në burg tregoi se si duhet të jetë ushtari i UÇK-së edhe kur i nënshtrohet torturave ma çnjerëzore. Ai u qëndroi besnik idealeve të tij. Kjo dëshmoi se ai kësaj pune i kishte hyrë me një qëllim të vetëm O vdekje o liri.
Në ditën e diel të 23shkurtit të vitit 1997 në familjen Restelica vijnë dy polic të cilët e ftojnë babë Muharremin dhe e marrin me vete për t’ia kumtuar lajmin për vdekjen e birit të tij. Pasi ai kthehet në shtëpi kërkon nga familja që të qëndrojnë të fortë pasi që Besnikun e kishin vrarë policët në burgun e Prishtinës. Ata qëndruan të fortë por mbi të gjithë më e forta ishte nënë Xhezidja e cila u tha fëmijëve se asnjë gjëmë dhe vajë nuk donë të dëgjon në shtëpinë e saj.
Kështu xhelatët e policisë fashiste, serbo-çetnike, të ndihmuar nga tradhtarët e vendit, ia shuan jetën birit të denjë të Besianës heroike, Besnik Restelicës. Ata këtë e bënë sepse e dinin se ai me dhjetëra herë, në dhjetëra aksione, me shokët e tij kishin bërë kërdi mbi armiqtë. Besniku në këto aksione përdorte automatikun që ia kishte dhënë komandanti i UÇK –së, Zahir Pajaziti. E dinin mirë ata se po ta lëshonin të dal i gjallë nga aty ai edhe shumë fish më shumë do të merrte aksione kundër tyre dhe më nuk do të kishin shanse ta fusnin më brenda sepse ai do të bashkohej me shokët atje ku përgatiteshin për luftën e armatosur kundër okupatorit. Besniku u vra nga gjakatarët por ai dhe vepra e tij heroike nuk vdesin kurrë.
Me 24 shkurt 1997 u bë varrimi i trimit Besnik Restelica në varrezat e qytetit afër Xhamisë, buzë magjistrales Besianë –Prishtinë. Në varrimin e tij, më të madhin të asaj kohe në Kosovë kishin ardhur mijëra njerëz dhe fitohej përshtypja se aty tërë shqiptaria atë ditë ia kishte marr rrugën drejtë Llapit, që ta nderoj ushtarin e UÇK-së i cili dëshmoi si jetohet dhe si vdiset për atdhe. Për meritat e ti është shpallur dëshmor i kombit. Në Besianë rruga e lagjes ku u lind dhe kaloi fëmijërinë tani mban emrin e tij. Pas përfundimit të Luftës familja e Besnik Restelicës për veprën e birit të tyre ka marr mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës , nga SHFD në Besianë, SHP i UÇK-së etj.