20 vjet më parë, paramilitarët serbë masakruan 14 shqiptarë civilë në familjen Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë. Sot, familjarë e qytetarë të shumtë përkujtuan këtë ditë në Parkun e Paqes “Manchester” në Podujevë, raporton Llapi.info
Në masakrën e para 20 vjetëve, 16 plumbave u mbijetoi Saranda Bogujevci, e cila sot tha se institucionet duhet të merren më shumë në organizmin e këtyre manifestimeve përkujtimore. Bogujevci ka potencuar se është punuar që mos të harrohet e kaluara.
“Kemi kaluar nëpër shumë gjëra të vështira, por që gjatë këtij rrugëtimi kemi pasur fatin të njohim shumë njerëz që të jemi pjesë e një komuniteti siç e kemi në Podujevë, në Manchester ku kemi jetuar, familjen që e kemi përreth që ka shpëtuar dhe është kaq me rëndësi që gjithë së bashku kemi punuar që mos ta harrojmë të kaluarën, të mos harrohen njerëzit që i kemi humbur. Por, patjetër që është me rëndësi që të ecim përpara, ta shohim të ardhmen. Organizimi që sot është bërë e ka pas qëllim që t’i kujtojmë familjarët për personat që kanë qenë”, ka thënë Bogujevci.
Kurse, në emër të familjes Duriqi foli Mimoza Duriqi e cila tha se si familje e kanë pasur të vështirë ta përballojnë humbjen e shtatë anëtarëve të familjes. Me lot në sy ajo ka rrëfyer ngjarjen e kësaj familjeje.
“Një nga ngjarjet më tmerruese në historinë tonë, ku me fillimin e bombardimeve filluan sulmet dhe spastrimi i fshatrave e qyteteve, filluan të flijohen pleq, plaka, nënat tona e fëmijë të moshave të ndryshme. Por, këtë fat të hidhur e përjetoi edhe familja ime. 28 marsi ishte kur forcat çetnike serbe u vërsulën mbi njerëzit e pa mbrojtur dhe u ekzekutuan barbarisht prej gjyshit 72 vjeçar e deri tek Albioni 21 muajsh. Këta ishin 7 anëtarët e familjes së ngushtë Duriqi, sa e vështirë për t’u përballuar për t’u përmbajtur dhe për të vazhduar më tutje. Ishte babai im ai i cili vendosi të vazhdonte dhe të mendonte përsëri për një familje, ishte ai i cili priti me padurim për të mbajtur nofkën babi”, tha Duriqi.
Të pranishëm në këtë përkujtim, ishin edhe britanikë si dhe zyrtarë komunalë të Podujevës. Doktori i cili i kishte shëruar disa nga fëmijët e mbijetuar, David Vasallo, në këtë përkujtim ka shtuar se Kosova duhet të ketë fqinjësi më të mirë me të gjitha shtetet.
“Kosova po e ndërton rrugën e saj drejt botës në mënyrë paqësore unë lutem sot me të gjithë ju që të gjithë ne ta duam njëri-tjetrin si fqinj në të njëjtën mënyrë se si po e bëjmë sot”, është shprehur Vasallo, duke i kujtuar momentet se si ishte takuar dhe si i kishte shëruar fëmijët e familjes Bogujevci dhe Duriqi.
Një lutje për të rënët e ka bërë edhe imami i xhamisë së qytetit, Idriz Bilalli.
Ndërkohë, në 20-vjetorin e masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi familjarë, politikanë e qytetarë të shumtë gjatë ditës kanë bërë homazhe te varrezat e të rënëve.
Pikërisht në këtë park ku edhe është mbajtur ceremonia përkujtimore, është ndërtuar nga organizata ““Manchester Aid to Kosovo” nga fëmijët e evakuuar në Mançester për shërim në vitin 1999./Llapi.info