Një përleshje mes dy personave ka ndodhur në fshatin Peqan të Suharekës dje në mesnatë, si pasojë e të cilës njëri person ka mbetur i plagosur dhe një tjetër i lënduar rëndë në kokë, raporton Gazeta10.
Policia e Kosovës lidhur me këtë rast ka thënë se i dyshuari pasi kishte shtënë në ajër aksidentalisht ishte vetplagosur dhe tani po merr tretman mjekësor në QKUK.
“I dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht me kondak të pistoletës viktimën mashkull kosovar. I dyshuari pas kishte shtënë në ajër nga pakujdesia dyshohet se aksidentalisht kishte plagosur veten. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit ku i dyshuari është dërguar në QKUK për tretman të vazhdueshëm mjekësor. Si provë materiale është sekuestruar një pistoletë me dy copë fishekë dhe dy bateri dore për ndriçim. Rasti në procedurë hetimore.” thuhet në raportin e Policisë.
Por burime të Gazetës 10 bëjnë të ditur se përleshja ka ndodhur për shkak se një grup të rinj tek varrezat e fshatit kishin ndezur herë pas here bateri ndriçuese, ku familjarët e një shtëpie afër duke dyshuar se bëhet fjalë për grabitje, kanë shtirë në ajër.
Për Gazeta10, burimi ka treguar se njëri nga personat ‘’si të dyshuar për hajni’’ ka goditur një mashkull me armë në kokë duke i shkaktuar lëndime të rënda.
“Mbrëmë rreth orës 23;50 disa djem të rinj kanë dal në pjesën e rrugës tek varrezat e fshatit Peqan, familjarët, djem që e kanë pasur shtëpinë aty afër kanë dalur pasi që i kanë pa prej shtëpisë që po ndezën bateri ndriçuese. Sepse kanë dyshuar se janë hajna, pasi që 4-5 ditë më herët hajnat kishin thyer shtëpinë e tyre. Pastaj janë përleshur, gjatë zënkës njëri nga personat e dyshuar e ka sulmuar me pjesë të revoles në kokë një person, të cilit i ka shkaktuar edhe prerje të kokës. I njëjti person që posedonte armën duke u përleshur është vetplagosur në këmbë.” , ka thënë burimi i Gazetës10.