Si pasojë e reshjeve të shiut dhe të borës janë shkaktuar përmbytje të shumta në fshatra të Podujevës, raporton Llapi.info.
Gjendje më e rënduar nga vërshimet është raportuar në fshatin Siboc i Poshtëm dhe në fshatin Sfecël.
Në pamjet që kanë arritur në adresë të Llapi.info, shihet uji që ka “pushtuar” oborret në Siboc, i cili ka arritur gjer në prag të shtëpive.
Ndërkohë, Situatë e paqëndrueshme meteorologjike do të vijoj edhe për këto pesë ditë të parashikimit. Në fushat barike do të ketë luhatje me tendencë të rritjes, derisa në fushat termike pritet rënie në të dy vlerat ekstreme.
Reshjet e shiut dhe të borës nga sot do të jenë me intensitet më të dobësuar.
Pas vërshimeve të shkaktuara gjatë natës dhe sot, si pasojë e reshjeve atmosferike të ditëve të fundit, kryetari Shpejtim Bulliqi, ka vizituar disa nga zonat e vërshuara në Komunën e Podujevës.
Bulliqi tha se Komuna e Podujevës me të gjitha kapacitetet e saj është e angazhuar për t’u dalë në ndihmë banorëve në zonat që janë më të prekura nga vërshimet.
“Komuna e Podujevës ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, Ekipin emergjent të Komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste dhe të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla”, ka thënë ai./Llapi.info