Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, është pajisur me letërnjoftim të Kosovës me datë 21 qershor 2021.
Kjo shihet nga një fotografi e siguruar nga Klankosova.tv.
Gjatë ditës është raportuar se Rama nuk është pranuar si kandidat për shkak se kishte aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut.
I kontaktuar nga Klankosova.tv ai tha se kjo ka mundësi të jetë ndonjë lëshim i KQZ-së.
“Me siguri ka qenë ndonjë gabim teknik nga ana e KQZ. Unë letërnjoftimin e kam të Kosovës, janë numrat nga letërnjoftimi i Kosovës”.
Për rastin kanë folur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nga kjo parti është thënë se Përparim Rama, posedon të gjithë dokumentacionin e Republikës së Kosovës dhe plotëson të gjitha kushtet ligjore për t’u certifikuar si kandidat për Kryetar të Prishtinës nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Nga ana tjetër Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.