Në emisionin FRONTAL të T7, avokati i Albulena Haxhiut, Tomë Gashi, ka thënë se ministrja e Drejtësisë për rastin e deklaratës së dhënë në RTV Dukagjini më datë 2 korrik është intervistuar në cilësinë e dëshmitares.
Në përballje me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili i ka kërkuar avokatit Gashi të tregojë nëse ministrja Haxhiu i ka treguar emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që pretendohet se e kanë telefonuar për t’u takuar e zgjidhur çështje të ndryshme, avokati Gashi ka thënë se ministrja Haxhiu i ka treguar emrat tek hetuesi, megjithatë vetë avokati Gashi s’i ka bërë publik në televizion.
Tomë Gashi ka thënë se pasi ministrja ka dëshmuar dhe i ka treguar emrat, rasti është mbyllur nga prokurori meqë sipas Gashit “s’ka asgjë aty”.
“Janë dy raste. Deklarata në RTV Dukagjini dhe postimi në ‘facebook. Deklaratën që e ka dhënë në Dukagjin e kanë thirrë në cilësi të dëshmitares. Prokurori ende s’ka hapë hetime. Ajo e ka obligim me i tregu emrat. I ka treguar emrat. Ajo e vërtetë është thënë dhe prokurori s’ka çka me vazhdu më tej.”, ka thënë avokati Gashi.
Ndërsa gazetari Lirim Mehmetaj ka insistuar që avokati i Haxhiut të tregojë se kush kanë qenë prokurorët apo gjyqtarët që e kanë kontaktuar ministren, gjë të cilën e ka denoncuar vetë Haxhiu publikisht në RTV Dukagjini.
“Tregoni emrat e prokurorëve. Le të tregon se cili është prokurori që e ka thirrë. Jam t’u I dashtë emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që e kanë thirrë”, ka thënë gazetari Memhetaj.