Nuk janë të rralla rastet, kur personat me nevoja të veçanta kërkojnë punë e refuzohen nga institucionet. Por, se sa është numri i personave me aftësi të kufizuara në vend e sa prej tyre janë të punësuar, nuk dihet saktësisht. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë thënë Gazetës Express se nuk kanë ndonjë statistikë për numrin e tyre, por mund të ofrojnë të dhëna vetëm për skemat e pensioneve që zbatohen nga MPMS-ja.
Arita ka katër vite që i ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik. 26 vjeçarja nga Peja, si sot e kujton ditën kur u diplomua, por thotë se diploma nuk i hyri kurrë në punë që prej atëherë.
Kishte aplikuar në shumë prej konkurseve që kishin të bënin me profesionin për të cilin kishte përfunduar studimet, e disa prej tyre e kishin ftuar edhe në intervista pune. Por, deklaron se gjithçka ndryshonte sapo punëdhënësit e kuptonin se ajo kishte probleme me dëgjimin.
Në secilën derë që kishte trokitur, ajo ishte refuzuar e i ishte dhënë përgjigja e njëjtë, “do të ju njoftojmë nëse përzgjidheni”. Arita është ende në pritje të një njoftimi të tillë.
Nuk janë të rralla rastet, kur personat me nevoja të veçanta kërkojnë punë e refuzohen nga institucionet. Por, se sa është numri i personave me aftësi të kufizuara në vend e sa prej tyre janë të punësuar, nuk dihet saktësisht, shkruan Gazeta Express.
Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë thënë Gazetës Express se nuk kanë ndonjë statistikë për numrin e tyre, por mund të ofrojnë të dhëna vetëm për skemat e pensioneve që zbatohen nga MPMS-ja.
Zëdhënësi për media në këtë Ministri, Musa Demiri ka thënë se në skemat aktuale për këto kategori që zbatohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social janë 24 mijë e 114 përfitues.
“Skema e Pensioneve për Persona me Aftësi të Kufizuar ku janë 18 mijë e 112 përfitues nga mosha 18 deri në moshën 65 vjeçare. Në Skemën për Familjet me Fëmijë me Aftësi të Kufizuar janë 2 mijë e 420 familje, ku përfshihet grupmosha deri në 18 vjet.Në Skemën për Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët aktualisht janë 1 mijë e 784 përfitues dhe në Skemën për Personat e Verbër dhe me të Pamur të Dobësuar janë 1 mijë e 798 përfitues”, ka thënë Demiri.
Por, në bazë të raportit për numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara nëpër të gjitha institucionet e Kosovës për vitin 2017, që ka siguruar Gazeta Express nga Ministria e Administratës Publike, del se numri i personave më aftësi të kufizuara që janë të punësuar në institucionet publike është i vogël..
Prej 11 mijë e 287 personave sa janë të punësuar në Ministritë dhe institucionet e tjera të nivelit qendror (shërbimi civil), me nevoja të veçanta janë vetëm 64 të punësuar, ndonëse do të duhej të ishin së paku 200 të punësuar sipas Ligjit.
Në bazë të Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, secili punëdhënës është i obliguar që të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtor.
Në rast se nuk e përfill këtë ligj, atëherë punëdhënësi duhet të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një për qind të shumës së pagës minimale.
“Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, obligohet qe për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara,të paguaj në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një përqind (1%) të shumës së pagës minimale”, thuhet në Nenin 12 të këtij ligji.
Por, ky ligj duket se nuk e zbatohet as nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Prej 558 personave sa janë të punësuar në këtë zyrë, vetëm 2 janë me aftësi të kufizuara, e që do të duhej të ishin së paku 10.
Më mirë për punësimin e këtyre personave se Zyra e Kryeministrit nuk qëndrojnë as Ministritë.
Madje, ka ministri që nuk kanë të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Jashtme e Ministria e Zhvillimit Ekonomik, janë vetëm disa prej ministrive që kanë të punësuar mbi 200 persona, por asnjë me aftësi të kufizuara.
Të tjerat kanë të punësuar 2 deri në 3 persona të kësaj kategorie.
Në Ministrinë e Punës thonë se janë duke e zbatuar Ligjin. Deklarojnë së aktualisht kanë të punësuar pesë persona me aftësi të kufizuara.
“Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të punësuar pesë persona me aftësi të kufizuar. Dy persona janë të moshës 53 vjeçare, një është 61 vjeçar, një 37 dhe një 34 vjeçar. Të gjithë këta persona janë meshkuj”, ka thënë zëdhënësi i MMPM-së, Musa Demiri.
Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ka të punësuar nga kjo kategori, edhe pse jo aq sa kërkohet me Ligj.
“Në Ministri të Shëndetësisë ka të punësuar një zyrtar sipas ligjit të cilit i jeni referuar. Ndërkaq, në institucionet e tjera shëndetësore ka te punësuar nga kjo kategori, ndoshta jo ne nivelin 100% sa kërkohet me ligj, por ka te punësuar nga të dy gjinitë” kanë thënë nga kjo Ministri.
Se janë të interesuar për ta zbatuar të Ligjit për aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të Kufizuara, këtë e thonë edhe në Ministrinë e Financave. Deklarojnë se më herët kanë pasur deri në tre zyrtarë të punësuar.
“Aktualisht në Ministrinë e Financave është vetëm një person me aftësi të kufizuar – femër (afersisht 50 vjeqare) në marrëdhënie të rregullt të punës, si dhe kemi një person-mashkull (afërsisht 30 vjeq) të angazhuar sipas Marrëveshjes për Shërbime të Veqanta”, ka thënë zëdhnësi i MF-së, Muharrem Shahini.
E ndonëse do të duhej të ishte shembull për atë se si zbatohen Ligjet, Ministria e Drejtësisë prej 434 të punësuarve, me aftësi të kufizuara e ka të punësuar vetëm një person.
“Në Ministrinë e Drejtësisë është i punësuar një (1 ) person me aftësi të kufizuara, (viti i lindjes: 1986, gjinia mashkullore) i punësuar sipas konkursit publik që nga data 01 mars 2018 në pozitën: Zyrtar Ligjor në Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie.
Ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara nuk zbatohet as në disa prej komunave.
Prej 6 mijë e 103 të punësuarve sa janë nëpër komuna, vetëm 48 persona janë me aftësi të kufizuara.
Në disa prej komunave, ky Ligj zbatohet me përpikshmëri.
Deçani, Istogu, Ferizaj, Kaçaniku, janë komunat që e kanë çdo të 50-tin punëtor me aftësi të kufizuara. Ndërsa në Skenderaj, Pejë, Obiliq e Viti nuk është as edhe një i punësuar prej kësaj
Ndryshe, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në ditën botërore të autizmit kishte thënë se MPMS-ja, në kuadër të përpjekjeve për mbështetje ndaj kësaj kategorie dhe të gjitha kategorive me nevoja të veçanta, do të hartojë një ligj gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.