Sot është përuruar fabrika e përpunimit të perimeve “Jaha Group” në Podujevë. Fabrikë kjo në të cilën janë punësuar 500 persona të cilët kanë filluar punën në verën e këtij viti, njofton Llapi.info.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili tha se ndjehet i lumtur që këto produkte do të eksportohen në Gjermani .

“Unë e vlerësoj shumë lartë këtë fabrikë, jo vetëm se do të procesoj këto produkte dhe do t’i eksportoj në Gjermani dhe po ashtu do të shfrytëzoj edhe mbjelljen e tyre këtu në tokën e Podujevës, sepse ne pamë disa prej specave të cilët ishin të cilësisë së lartë, të prodhuara këtu, në krahasim edhe me ato që prodhohen në Greqi, që flet se ne kemi tokë të mirë, kemi njerëz të vyeshëm dhe mund të arrijmë rezultate të mrekullueshme” u shpreh Mustafa.

Përpos Mustafës, e pranishme në këtë përurim ishte edhe Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, e cila tha se ndjehet mirë që investitorët gjermanë kanë gjetur vizionin për të punuar në këtë sektor në Kosovë.

“Më vjen mirë që investitorët gjermanë kanë gjetur vizionin për të ardhur këtu në Kosovë, për të punuar në sektorin e përpunimit të ushqimit. Ky është një sektor ku Kosova ka një potencial dhe Qeveria e ka vënë fokusin kryesor në zhvillimin e sektorit të agrobiznesit. Për këtë arsye besoj se shpejt do të bëhet i suksesshëm”, ka theksuar ambasadorja Viets.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane “Kappa Antipasti”, Klaus Lots i cili ndër të tjera falënderoi punëtorët e kësaj fabrike.

“Ideja ime ishte që kjo prodhimtari të zhvillohet në Kosovë dhe nuk e kemi ditur a do të funksionoj apo jo, mirëpo nuk jemi ndal, e kemi pasur një vizion që gjithçka ta bëjmë në Kosovë me Kappa Antipasti nga Gjermania. Besoj që jemi partner të mirë dhe falënderoj 500 punëtorët që punojnë këtu. Këta 500 njerëz janë motori dhe për këtë falënderoj veçanërisht femrat që punojnë në këtë fabrikë”, ka deklaruar Lotz.

Kurse, përfaqësuesi i kompanisë “Jaha Group”, Fadil Hoxha tha se gjithçka që del si përfitim nga kjo fabrikë do të investohet në përmirësimin e standardit jetësor.

“Unë ju garantoj që në emër të vëllezërve, të kompanisë dhe grupit tonë, që nga këtu ne nuk do të marrim përfitime, të gjithë çka del si përfitim, do të investohen direkt në ndikimin social të jetës së njerëzve këtu dhe përmirësimin e standardit jetësor” ka thënë ndër të tjera Hoxha.

Të pranishëm në këtë përurim ishin edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami të cilët së bashku me kryeministrin Mustafa, së bashku me përfaqësuesin e “Jaha Group”-it Fadil Hoxhan, panë nga afër përpunimin e perimeve që bëhet në këtë fabrike./Llapi.info
20
4
12
13
https://www.youtube.com/watch?v=yA7xxLnNWi8