Në fshatin Metehi të Podujevës është përuruar njëra nga dy pendat akumuluese për ujitjen e tokave bujqësore, njofton Llapi.info.

Inaugurimin e këtij projekti e ka bërë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Me këtë rast, kreu i Podujevës ka thënë se pendat mundësojnë ujitjen e tokave bujqësore.

Sipas tij, edhe tri penda të tjera janë proces për t’u përfunduar.

“Sot, e përuruam njërën prej pendave të përfunduara. Edhe një është e përfunduar, kurse tri të tjera janë në proces. Këto dy penda që janë të përfunduara e mundësojnë ujitjen e më se 100 hektarëve tokë bujqësore. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje në bazë të kërkesave të banorëve, nëse ka kërkesa të tilla, ne prapë do të ndajmë mjete që përfundojnë projektet e tilla”, ka thënë Veliu në një video, të cilën e ka publikuar në rrjetin social, Facebook.

Ndryshe, tri penda do të ndërtohen në fshatin Metehi, kurse dy të tjera në fshatin Dobërdol të Komunës së Podujevës./Llapi.info