Komuna e Mitrovicës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot është bërë përurimi i obeliskut me shkronjat “UÇK”.

Në njoftimin e komunës thuhet se kjo është bërë pikërisht në Ditën e Veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Në Mitrovicë u përurua obelisku me shkronjat UÇK. Në Ditën e Veteranëve të luftës së UÇK-së në Mitrovicë, një moment i rëndësishëm u shënua me zbulimin obeliskut i cili bart shkronjat e UÇK-së”.

“Në ceremoninë e përurimit të obeliskut të pranishë ishin, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, nënkryetari, z. Arian Tahiri, drejtorë komunal, asamblistë, përfaqësues të Shoqatave të Dalura nga Lufta, përfaqësues të Forcave të Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të Policisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve dhe shumë qytetarë”, thuhet në njoftim.

Aty bëhet e ditur se Kryetari i Komunës, Bedri Hamza ka shprehur falënderimin për të gjithë ata që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës dhe shprehu krenarinë për përpjekjen e përbashkët në realizimin e këtij projekti, që ai e ka quajtur të rëndësishëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet projekti më i rëndësishëm politik e ushtarak për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës” u shpreh kryetari Hamza.

Tutje, në njoftimin e komunës thuhet se obelisku me shkronjat “UÇK” do të shërbejë si një simbol i përhershëm i kujtesës për luftën dhe përpjekjet për liri dhe drejtësi.