Në 22 vjetorin e rënies së 31 qytetarëve të pafajshëm, në shenjë përkujtimi, sot në vendin e rënies te ura e Lluzhanit u zbulua pllaka përkujtimore me emrat e viktimave, njofton Llapi.info.
Në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky monument u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave.
“Për ndër të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave, kemi iniciuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore me emrat e viktimave që kanë pësuar, në mënyrë që në secilin përvjetor ta kemi një vend ku i nderojmë. Nga sot merr fund praktika që ishte deri më tani, ku homazhet e nderimet bëheshin mbi urë, duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e familjarëve”, tha Bulliqi.
Bulliqi tha se në raste si këto duhet të jemi të kujdesshëm të vlerësojmë e përkujtojmë sakrificat e popullit tonë për liri.
“Kujtimi për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve na udhëzon për punë të mira, për ecje të drejt dhe na e përkujton se rruga përpara duhet të jetë rruga e ndërtimit dhe e forcimit të shtetit tonë”, tha ai.
Gjatë ceremonisë fjalë rasti mbajti edhe shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Podujevës, Bajram Ajeti. Nndërsa, në emër të familjeve të viktimave foli përfaqësuesi i familjes Kopalla, i cili falënderoi Komunën e Podujevës për ndërtimin e këtij monumenti, për të cilin tha se është shumë i vlefshëm për familjet e të rënëve.
Në fund, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi së bashku me përfaqësuesit e familjeve të viktimave zbuluan pllakën përkujtimore me emrat e 31 qytetarëve të rënë në këtë vend.
Ndërtimi i këtij monumenti është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Podujevës.
22 vjet nga bombardimi i autobusit në Lluzhan, ku humbën jetën dhjetëra shqiptarë