Sot është përuruar Shërbimi i ri Intensiv në QKUK.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili ka thënë se ky shërbim që ka pasë 14 shtretër dhe infrastrukturë jo të duhur tash është shumë më ndryshe.
“Sot, jam shumë i lumtur që kësaj historie i erdhi fundi. Me 27 shtretër, e pajisur me aparaturë moderne, me staf të shtuar profesional, është i gatshëm Shërbimi i ri Intensiv në QKUK”, ka shkruar Ismaili në Facebook, njofton Klan Kosova.
Më poshtë është statusi i plotë në Facebook:
Reparti i shërbimit Intensiv, për vite me radhë, ka pasur më shumë kërkesa sesa që ka mundur t’i përballojë. Me vetëm 14 shtretër dhe pa infrastrukturë të duhur, kjo njësi e kujdesit dhe monitorimit 24-orësh për jetën e pacientëve, ka qenë kokëçarje e sektorit shëndetësor.
Fatkeqësisht, jo rrallë historitë e qytetarëve tanë kanë pasur edhe fund të hidhur, si pasojë e mungesës së shtretërve në Intensivë. Sot, jam shumë i lumtur që kësaj historie i erdhi fundi.
Me 27 shtretër, e pajisur me aparaturë moderne, me staf të shtuar profesional, është i gatshëm Shërbimi i ri Intensiv në QKUK.
Falënderoj Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim për investimin 2 milionë eurosh në këtë repart, i cili do të mundë të trajtojë mbi 1000 pacientë gjatë vitit, dyfishin e numrit të deritanishëm.
Shpresoj që qytetarët tanë të kenë sa më pak nevojë për këtë repart, mirëpo është detyrë dhe obligim i yni që t’u gjendemi pranë kur ata kanë më së shumti nevojë.