Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu së bashku me ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Shala dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës( FFK), Fadil Vokrri sot kanë përuruar stadiumin e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti”.

I pari i Podujevës është shprehur i lumtur me rastin e përurimit të kësaj fushe futbolli, duke falënderuar MKRS-në dhe FFK-në për mbështetjen e dhënë duke premtuar edhe investime të tjera në këtë fushë, shkruan Llapi.info.

“Unë sot jam shumë i lumtur që po kemi mundësi këtë fushë futbolli me ia dorëza klubit futbllistik Llapi. Me këtë rast e falënderoj ministrin, po ashtu edhe z.Vokrrin për prezencën këtu, për kontributin që e kanë dhënë me ndihmesa të ndryshme që ne sot ta kemi një fushë. Ky projekt nuk përfundon me kaq se projekti është i hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vazhdimin edhe infrastrukturës tjetër, tribunave dhe zhveshtoreve dhe besojmë se bashkërisht do të gjejmë mundësi dhe mjete për përfundimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm” ka thënë Veliu duke shtuar se komuna e Podujevës për vitin e ardhshëm ka paraparë shumë buxhetore prej 140 mijë, 150 mijë eurove për vazhdimin e punimeve në këtë stadium.

Ndërsa, ministri i MKRS-së, Kujtim Shala tha se vitin e ardhshëm në këtë stadium do të investohen edhe 600 mijë euro.

“Siç tha edhe kryetari ne këtë punë do ta vazhdojmë në vitin e ardhshëm bashkë me komunën dhe Federatën e Futbollit. Kanë mbetur të investohen edhe rreth 600 mijë euro dhe zotohemi që së bashku me Komunën e Federatën të sigurojë këtë fond që të finalizohet stadiumi ashtu siç është projektuar” tha Shala.

Kurse kryetari i FFK- së Fadil Vokrri tha se ky është një fillim i mirë dhe se shpresojmë që të vazhdojmë edhe më tutje me këtë trend.

“Tash me pranimin tonë sigurisht se edhe ne do të mundohemi që në partneritet me Ministrinë dhe komunën edhe ne të investojmë në stadiume dhe në infrastrukturën në Kosovë. Sigurisht se kanë filluar (të përmirësohen) edhe pse nuk është në gjendjen e dëshiruar dhe ku meditojmë të jemi. Mirëpo është një fillim i mirë dhe shpresojmë që do të vazhdojmë në këtë trend dhe të investojmë edhe në fusha tjera dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi fusha për të zhvilluar gara normale” tha Vokrri.

Me rastin e përurimit të “Zahir Pajazitit” Veliu i i dhuroi Vokrrit edhe një mirënjohje në shenjë kontributi për futbollin kosovarë./Llapi.info

veliu
veliu2
llapii