Drejtori i një shkolle të mesme në Komunën e Kamenicës është pezulluar nga puna për tre muaj, me dyshimin se në shkollën me të cilën udhëheq ka pasur parregullsi gjatë testit të maturës.
Dyshohet se dy nxënës të cilët nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit, kanë hyrë në procedurë.
Këtë lajm e ka bërë të ditur kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në Facebook.
“Pas marrjes së raporteve për vijueshmërinë e pjesës së parë të testit, kemi konstatuar që në njërën nga shkollat e mesme të Komunës, ka dyshime për parregullsi. Dyshimet e bazuara janë që 2 fëmijë të cilët nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit, megjithatë kanë hyrë në procedurë”.
“Pas verifikimit të situatës, si Komunë kemi marrë vendim që drejtori i shkollës përkatëse të pezullohet në afat deri në 3 muaj. Një masë e tillë është marrë që të garantohet vijueshmëri e rregullt e pjesës së dytë të testit. Rasti në fjalë do t’i nënshtrohet verifikimit përmes komisionit përkatës diciplinor”.
Pjesa e parë e testit të maturës për rajonin e Gjilanit është mbajtur javën e kaluar më 28 maj, kurse pjesa e dytë do të mbahet nesër.