Java e pestë e Vala Superligës së Kosovës në futboll është përmbyllur këtë të diele me zhvillimin e katër ndeshjeve të mbetura në këtë xhiro.
Llapi i cili priti Lirinë në Merdare ka shënuar fitore me rezultat 2 me 0, shkruan Llapi.info.
Pas një loje të bukur nga ana e vendasëve, që nga fillimi i ndeshjes u pa që bardh e kaltrit nga Podujeva kanë hyrë në fushë për tri pikë të plota.
Ishte minuta e 33 e takimit ku pas një aksioni të bukur nga ana e djathtë më së miri në zonë u gjend sulmuesi llapjan Florim Bërbatovci ku edhe shënoi për 1 me 0 për Llapin.
Në minutën e 45 Llapi sërish rrezikoi përmes sulmuesit tjetër, Berat Hyseni, por që kësaj radhe nuk pati gol pasi që tentimi i tij me kokë u ndal nga portieri i mysafirëve.
Ky rezultat vazhdoi deri në minutën e 51 të takimit kur në zonë u pengua autori i golit të parë Florim Bërbatovci nga Behar Dina. Gjyqtari akordoi penalti, raporton Llapi.info. Nga pika e bardhë i saktë u tregua Hamdi Namani ku shënoi për 2 me 0 për Llapin.
Mundësi të mirë në këtë takim kishte edhe ekipi mysafir Liria. Në minutën e 81 ata rrezikuan nga një gjuajtje e lirë përmes Ilir Mustafës por që portieri i Llapit Ilir Avdyli ishte në vend dhe nuk lejoi ndryshim rezultati.
Kur takimi po vinte drejt fundit, Llapi sërish rrezikoi përmes Benjamin Eminit. Nga afërsia, ai nuk arriti që ta shtynte topin në rrjetë.
Me këtë fitore Llapi grumbullon 9 pikë nga 5 ndeshje të zhvilluara./Llapi.info