Një pikturë e punuar me ngjyra të vajit nga piktori i mirënjohur, Pablo Picasso, është shitur për 103,4 milionë dollarë në ankandin Christie në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Portreti i të dashurës franceze të Picasso-s, Marie-Therese, “Femme assise près d’une fenêtre (Marie-Thérèse)”, ndryshe e quajtur “Gruaja ulur pranë një dritareje”, udhëhoqi “Shitjen e Mbrëmjes së Shekullit 20” – ngjarje kjo për shitjen e pikturave të punuara nga artistët me famë botërore, transmeton Klan Kosova.
Keith Gill, kreu i departamentit të Impresionizmit dhe Artit Modern në Christie’s London, tha se vepra mund të jetë e njohur për artdashësit nga paraqitja e saj në një ekspozitë të rëndësishme në Tate Modern në vitin 2018.
Sipas Gill, kjo pikturë nuk ka dalë në ankand qysh para tetë vjetësh dhe se që nga ajo kohë i është rritur vlera, shkruan Reuters.
“Është një imazh tepër ikonik. Ajo pikturë nuk është parë në ankand që nga viti 2013 dhe vlerësimi i portreteve Marie-Therese, veçanërisht nga 1932, është rritur shumë që nga ajo kohë. Kështu që ky do të jetë një çmim i spikatur”, tha Gill.
Pas një lufte të fortë ofertash, piktura e Picassos u ble nga një ofertues në internet në Kaliforni.
Këtë pikturë Pablo Picasso e ka krijuar në vitin 1932.