Instituti i Prishtinës për Studime Politike e përshëndet vendimin e sotëm të Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca për shfuqizimin e vendimeve për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.
PIPS me anë të një njoftimi për media deklaron se nga Qeveria e kaluar vendimet e politikës së jashtme janë përshkuar nga mosrespektimi i kritereve, që ka mundësuar rritjen e praktikës së diplomacisë personale, e cila thonë se ishte filluar shumë vite më herët.
Reagimi i plotë:
Instituti i Prishtinës për Studime Politike përshëndet vendimin e sotëm të Ministrit Konjufca për shfuqizimin e Vendimeve të Kundërligjshme në kundërshtim me nenin 20 te Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve të fundit PIPS në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për respektim të legjislacionit në fuqi në raport me shërbimin diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës, i cili ka vuajtur nga ndërhyrjet politike, kësisoj duke dëmtuar përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës (për më shumë shih: https://pips-ks.org/wp-content/uploads/publications/sq/728122282_Hulumtimi_Ligji_mbi_Sherbimin_e_Jashtme_dhe_zbatimi_i_tij.pdf). Punimet monitoruese të PIPS kanë ngritur shqetësime publike për shkeljet ligjore në proceset e emërimit, rotacionit, gradimit dhe kthimit nga detyra në shërbimin diplomatik. Gjatë mandatit të Qverisë së fundit vendimet e politikës së jashtme kosovare janë përshkuar nga mosrespektimi i kritereve, që ka mundësuar rritjen e praktikës së diplomacisë personale, të filluar shumë vite më herët.
Vendimi i sotëm duhet të shihet si fillim i vendosjes së praktikave meritokratike brenda shërbimit diplomatik, që do t’i mundësonin qytetarëve kosovarë një përfaqësim ndërkombëtar të denjë, ashtu siç e meritojnë, ndër tjera duke vënë në pah vlerat paqedashëse dhe demokratike të shoqërisë kosovare. Shërbimi diplomatik profesional është absolutisht qenësor për Kosovën, që të zbatojë një politikë të jashtme efektive dhe me rezultate.
Në të njëjtën kohë, PIPS vlerëson që Ministri Konjufca duhet të rishkikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore në këto kategori:
– Shefat e misioneve diplomatike sipas celësit politik, të riemëruar për së dyti në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme;
– Të dërguarit nëpër Ambasada të emëruar pas datës 19 korrik 2019, domethënë pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj;
– Të rishikojë të gjitha vendimet për emërimin e Konsujve e Nderit;
– Të rishikojë në mënyrë të detajuar procesin e emërimit të Shefave të Misioneve aktual, duke qenë se ka pasur ankesa në Komisionin për Punë të Jashtme se një apo më shumë Shefa Misionesh janë dërguar në detyrë pa u intervistuar nga Komisioni që përbën shkelje ligjore.