Sot në Kuvendin Komunal të Podujevës është mbajtur debat publik për propozim ndryshimi në statutin e komunës së Podujevës, njofton Llapi.info

Edhe pse ishte një debat publik, në këtë mbledhje pjesëmarrje e qytetarëve ishte e ulët.

Në disa propozime për ndryshim në statutin e komunës së Podujevës, ishin propozuar nga komisioni i cili është formuar me vendim të Kuvendit Komunal të datës 28 shkurt 2018.

Kryesues në këtë kuvend ishte Hasan Ajeti. Kurse, Bajram Ajeti Mrika Thaçi, Lirika Maliqi, Arbër Blaku anëtarë.

Ishte nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari që adresoi disa gabime si dhe propozime për ndryshim të statutit.

“E kisha hjek fjalën statuti bazë sepse nuk kemi statut bazë, por e kemi statutin aktual. Tek neni 2, ku thuhet “rrethi i tretë: Drejtoria, sektori, njësia përkatëse” do të duhej të ishte më mirë vetëm, Drejtoria. Tek neni 3 ku thuhet “Qytetar i Komunës është çdo person i cili është qytetar i përhershëm” të bëhet banor i përhershëm. Ndërsa tek neni 4 ku propozohet të ndryshohet Kuvendi ka 35 këshilltarë/e” të bëhet vetëm këshilltarë sepse numri shumës shkon këshilltarë” tha Rudari.

Kurse, Avni Fetahu nga LDK propozoi se tek neni 48 i statutit, të shtohet edhe komiteti për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Ndërsa, Bajram Ajeti nga VV, tha se kur të ketë debate publike të njoftohen qytetarët pasi nuk quhet ky debat publik kur nuk është i pranishëm asnjë qytetar.

Në po këtë mbledhje u propozua që për propozim ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Podujevës të organizohet një debat televiziv, ku do të merrnin pjesë anëtarë të Komisionit./Llapi.info