Në deklaratën e tij të shkurtër para gjykatës, Pjetër Nrecaj ka thënë se i vie keq për ngjarjen ku gruaja e tij Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare mbetën të vrara.
Deklarata e Nrecajt është bërë në seancën gjyqësore e cila është mbajtur në repartin e psikiatrisë ku prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit.
Në vendimin në të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuruhet se gjykata ka marrë vendim që Nrecaj do qëndroj në paraburgim për një muaj me vendim të gjykatësit, Shaqir Zika.
Në seancë sipas vendimit shkruhet se kanë qenë prezent, gjyqtari Shaqir Zika, prokurori i shtetit Agron Matjani, i pandehuri Pjetër Nrecaj me mbrojtësen e tij, Fehmije Zhubi si dhe psikiatri Dr.Zef Komani.
Ky i fundit si shef i repartit të Psikiatrisë ka konstatuar se klienti ka kaluar një stres akut dhe i njëjti mund të marrë pjesë në seancën dëgjimore.
Ndërsa mbrojtësja e të dyshuarit, avokatja Fehmije Zhubi, ka deklaruar se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e ashpër dhe se prokurori nuk e ka arsyetuar mirë dyshimin dhe se nuk janë plotësuar kushtet ligjore sepse i mbrojturi i saj nuk ka pasur për qëllim t’i privoj nga jeta të ndjerat.
Në fjalën e tij para gjykatës, prokurori i shtetit Agron Matjani, i cili ka lexuar kërkesën e prokurorit Ali Uka, ka ngritur pretendimin se Pjetër Nrecaj e ka kryer me dashje vrasjen e gruas dhe vajzës së tij 9 vjeçare.
Para gjykatës prokurori duke arsyetuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ka thënë se, “i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij bashkëshorten dhe vajzën 9 vjeçare”.
Në pretendimet e tij, prokurori ka përmendur se qëllimi i të pandehurit ishte që ta bindë të ndjerën që të kthehet dhe të jetojë me të por kur ajo ka refuzuar i pandehuri e ka kryer aktin.
“Në ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të së ndjerës Valbona për ta bindur për të bashkëjetuar dhe duke qenë se e ndjera Valbona nuk ka dashur të shkon në shtëpinë e bashkëshortit të saj i pandehuri me armën AK-47 shtënë disa herë në drejtim të gruas dhe vajzës duke i privuar nga jeta”, thuhet në kërkesën e prokurorit.
I njëjti ka sqaruar se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes për tu dorëzuar më pas në polici.
40 vjeçarja, Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës.