Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit pak pas mesnatës në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se i plagosuri është dërguar në QKUK.
“Rreth orës 00:15, është raportuar për shkrepje të armës së zjarrit në rrugën “Shkupi” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe se i njëjti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
Ai tha se aktualisht policia ka identifikuar një të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë, ndërkaq po vazhdon punën e saj operativo-hetimore si dhe të ekzaminimit të vendngjarjes me qëllim të sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, si dhe lokalizimin e të dyshuarit.