Pasditen e sotme u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në fshatin Drenoc në Prishtinë, ku për motive akoma të panjohura, një person u qëllua dhe mbeti i plagosur. Viktima u dërgua në QKUK, ndërsa i dyshuari është identifikuar nga Policia.
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Leonit Berisha, i cili tashmë ka përfunduar në prangat e Policisë.
Në rrethana akoma të paqarta, Berisha e ka plagosur me armë zjarri një 23-vjeçar dhe fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes.
Por pas veprimeve të ndërmarra nga Policia, i njëjti është arrestuar dhe ndaj tij pritet të lëshohet urdhri për ndalim policor.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në fshatin Drenoc të Prishtinës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.