Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit G.SH dhe të pandehurës E.H nën dyshimin për veprën “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”
Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se me dt 02.06.2018, i pandehuri G.SH me dashje direkte i ka bërë thirrje të pandehures E.H, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke udhëzuar që të bëjnë sulm vetvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në Kosovëdhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist,
Sipas kësaj gjykate G.SH dyshohet se gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë meqë është edhe shtetas belg, duke planifikuar sulm vetvrasës në vende të frekuentuara me qytetarë e që edhe me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës, në Pristhinë, i njëjti është arrestuar me dt.05.06.2018.
“E pandehura E.H gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018 e tutje, në bashkëveprim me të pandehurin G.SH, është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist”, njofton kjo gjykatë, transmeton Klan Kosova
Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.SH dhe E.H si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.