Edhe një vetëvrasje është shënuar në Kosovë. Tash në fshatin Metehi të Komunës së Podujevës. 52 vjeçari, Zahir Zeka i dha fund jetës pasditen e së martës në shtëpinë e tij. Në momentin kritik, në shtëpi nuk gjendeshin as gruaja e as dy fëmijët. Trupi i pa jetë i viktimës është gjetur nga familjarët. Ai është varrosur një ditë pas në varrezat e fshatit. Ndërkohë që familjarët i kanë thënë të enjten Gazetës Express se nuk i dinë motivet të cilat e kanë çuar atë drejtë vetëvrasjes.
Më datën 22 janar, 52-vjecari Zahir Zeka kishte lënë termin për vizë në Ambasadën Finlandeze pasi planifikonte që të udhëtonte bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Por, ai nuk e priti atë ditë dhe i morri jetën vetës duke u varur në litar. Ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, më i madhi në klasën e nëntë si dhe vajza në klasën e gjashtë.
Gazeta Express, të enjten ka qëndruar në shtëpinë e viktimës ku ka biseduar me familjarët rreth këtij rasti.
Gjithë ditën nuk kishin dëgjuar lajm nga ai, por kur u kthyen në shtëpi ata mbetën të trishtuar kur gjetën trupin e familjarit të tij të vdekur. Zahiri i vetëm kishte vendosur t’i jap fund jetës së tij duke u varur me litar. Rreth këtij rasti, të enjten për Express ka rrëfyer nipi i tij, Dardani.
“Ai nuk ka pas diçka ndonjë problem. Më datë 22 kanë pas me i dorëzu vizat për në Finlandë. I ka miqtë atje. Këtu ka jetuar me fëmijë dhe me gru, djalë e vajzë ka pas me shku. Që pesë ose gjashtë vite i ka hy në kokë një gjë. Që gjithmonë na pyeste ‘çka boni ju me shku unë. Kështu vetëm disa shenja depresioni”, thotë familjari i tashmë të ndjerit.
Tutje ai tregon për momentin kur familja e kanë gjetur 52 vjeçarin të varur në shtëpinë e tij.
“Ne në ora 8:30 kemi në shku në shpi dhe e kemi gjetur të vdekur. Me litar ia ka marrë jetën vetës. Dy fëmijë i ka, njëri në klasën nëntë, tjetri në klasën e gjashtë. Kushtet në familje nuk i kanë pas të këqija. Për herë të fundit me të jam parë atë ditë që e ka kryer aktin”, ka shpjeguar tutje Dardani, nipi i të ndjerit.
E ndërkohë për rastin kanë folur edhe zyrtarët e policisë nga rajoni i Podujevës. Komandanti i Stacionit Policor të Podujevës, Bekim Bislimi, tha se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë.
“Dje kemi pranuar informatën nga dëshmitarët për një rast vdekje rreth orës 21:20 në fshatin Metehi të komunës së Podujevës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij”, tha Bislimi për Express.
Më tej, Bislimi tha se në konsultim me prokurorin e rastit trupi i viktimës (52 vjeç) është dërguar për obduksion.