Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, është takuar sot me delegacionin nga Organizata Qeveritare Gjermane GIZ të udhëhequr nga Markus Leick, me ç’rast kanë folur për gjetjen e formave për bashkëpunim në realizimin e projekteve mjedisore.

Temë kryesore e këtj takimi ishte lansimi i programit të skemës së granteve për përformancën në menaxhimin e mbeturinave. Me këtë rast, Rudari ka shprehur interesimin e Komunës së Podujevës për të përfituar nga projektet që mbështet GIZ në fushën e menaxhimit të mirë të mbeturinave dhe mbrojtjes së mjedisit, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Përfaqësuesit e GIZ-it gjerman kanë prezantuar Projektin “Gara për Mjedis të Pastër” i cili do të përfshijë katër regjione me 16 komuna të Republikës së Kosovës. Kjo është një garë përmes së cilës, nëse komuna i arrin objektivat e perfomancës, fiton grante në drejtim të menaxhimit më të mirë të mbeturinave dhe mbrojtjes së mjedisit.

Mundësia e financimit të projekteve për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe ruajtjes së mjedisit do ta ndihmonte komunën e Podujevës dhe kompaninë “PASTRIMI” në rritjen e efikasitetit në shërbime.
Partner i këtij projekti është edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /Llapi.info