Me garat që u mbajtën në Prishtinë dhe Podujevë me sukses është përmbyllur pjesa pranverore e projektit ”Girls just want to play football” (Vajzat duan vetëm të luajnë futboll), projekt ky i mbështetur edhe nga UEFA në kuadër të Hat Trick-ut.
FFK-ja, përkatësisht Komisioni për futbollin e femrave në bashkëpunim me Federatën e Sportit shkollor, Shoqatat e Pedagogëve të komunave, të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e garave, të SHFMU si dhe me ndihmën e trajnerëve të klubeve të futbollit të femrave nëpër ato komuna, kanë rrumbullakosur garat e filloristeve të reja ku ato shfaqen talentin dhe dëshirën për lojën e futbollit si dhe dëshmuan cilësi dhe frymë sportive.
Projekti do të vazhdojë edhe në komunat tjetra në vjeshtë. Prishtina me 23 shkolla e 230 vajza si dhe Podujeva me 28 shkolla e me 300 vajza përmbyllën këtë pjesë pranverore të këtij projekti. Në Prishtinë fituese e turneut doli të jetë SHFMU ”Ditët e Minatorit” nga Kizhnica, ndërkaq në vendin e dytë u rendit SHFMU ”Nexhmi Mustafa” nga Besia. Ndërkaq, në Podujevë fitues e turneut doli SHFMU “Ali Hadri” nga Obrança, e vendin e dytë e zuri ekipi i SHFMU “Kongresi i Manastirit” nga Gllamniku. Ky projekt ishte shumë domethënës dhe i frytshëm për zhvillimin dhe përparimin e futbollit të vajzave.
Në përmbyllje të këtij projekti, anëtarja e KE të FFK-së, njëherësh kryetare e Komisionit të futbollit të femrave, Vjollcë Krasniqi mes tjerash theksoi: ”Në emër të FFK-së një falënderim i veçanet shkon për Shoqatat komunale të Pedagogëve, Federatën e Sportit shkollor, profesorët e kulturës fizike dhe trajnerët e klubeve të femrave, e në veçanti dua t’i falënderoj vajzat që dhanë kontribut të jashtëzakonshme në zhvillimin e garave.
Shumë besoj se këto gara të këtij projekti na kanë shërbyer të gjithëve veçmas trajnerëve të klubeve të femrave që të identifikojnë vajzat me talent për lojën e futbollit e të cilat do të jenë baza e klubeve por edhe e ekipeve kombëtare. Besoj se trajnerët do ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë projekt në të mirë të klubeve dhe zhvillimit të futbollit në përgjithësi.
Ju garantoj se FFK-ja do të vazhdojë edhe në vjeshtë me këtë projekt, por edhe me programe të tjera sepse njëri nga prioritet e Strategjisë zhvillimore është zhvillimi, masovizimi dhe përparimi i futbollit të femrave”.