Objekti e ish Restaurant “Beni Dona”, do të përshtatet dhe hapësirat e tij do të shfrytëzohen për galeri të artit, me qëllim që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e artistëve llapjanë, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, ka vizituar sot hapësirat e ish Restaurantit “Beni Dona”, për t’u njoftuar nga afër me mundësitë që ofron ky objekt me hapësirat rreth tij dhe për t’i shikuar mundësitë që ato të përshtaten dhe të përdoren për funksionalizimin e galerisë së artit.
Me këtë rast drejtoresha Kutllovci tha se me projektin që do ta hartojmë, ky objekt do të transformohet dhe në këto hapësira do të krijohen kushte të mira për artistët e artit pamor.
“Bazuar në mundësitë buxhetore, me realizimin e fazës së parë të këtij projekti do të fillojmë këtë vit, kjo do të bëhet me qëllim të përmbushjes së kerkesave dhe nevojave të artistëve të artit pamor të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë hapësira të destinuara për zhvillimin e punës dhe aktiviteteve të tyre” tha Kutllovci.
Për shkak se DKRS nuk ka buxhet të mjaftueshëm për realizimin e plotë të këtij projekti, drejtoresha Kutllovci tha se përkrahje do të kërkohet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)./Llapi.info