Edhe pse jemi në sezonin e verës, autobusë të mbushur me qytetarë nuk e kanë destinacionin e pushimeve, shkruan Llapi.info
Qytetarë të shumtë vazhdojnë të largohen me viza pune në vende të ndryshme perëndimore, e Kroacia prinë.
Ndër komunat më të prekura është edhe ajo e Podujevës. Nga pika kufitare e cila gjendet në këtë Komunë dhjetëra qytetarë kanë migruar ditët e fundit.
Hiç më larg se në mbrëmjen e së hënës dhjetëra llapjanë të pajisur me viza pune kanë lëshuar Kosovën.
Këtë e dëshmon edhe fotografitë e dërguara në adresë të Llapi.info. Se që migrimi e ka prekur Podujevën e ka thënë dje në një intervistë në T7, drejtori në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi.
“Ka zëra për ikjen e disa të rinjve nga Podujeva, por kemi ende. Nuk mund ta themi se është ndër më e prekura Komuna jonë”, ka thënë ndër të tjerash Januzi.
Largimi i qytetarëve nga Llapi dukuri shqetësuese ka paraqitur edhe në opozitën e kësaj komune.
Rafet Llapashtica nga PDK, muaj më parë ka thënë se gjendja në Podujevë nuk ka ndryshuar që nga paslufta. Sipas tij, migrimi e ka prekur edhe këtë Komunë.
“Ky trend i ikjeve është edhe në nivel vendi dhe ky fenomen e ka prekur padyshim edhe Podujevën. Njerëzit kompetentë, politikanët apo kryetarët e Komunave duhet t’i japin përgjigje problemeve apo kërkesave të secilit qytetar. Ky fenomen ndodh kur qytetari dhe populli e humb shpresën te akterët politikë dhe është më e rrezikshme se lufta. Ky fenomen është i rrezikshëm dhe mendoj që niveli lokal, por edhe ai qendror duhet t’i ndërpres”, pati shtuar ai.
Ndërkaq, migrimi për qëllime punësimi është në rritje të vazhdueshme, dhe kjo dukuri është një realitet që tashmë ka prekur të gjitha komunat e vendit./Llapi.info