Komuna e Podujevës vazhdon t’i ketë 20 raste aktive me virusin korona, ndërkohë që prej tyre vetëm njëri gjendet në Klinikën Infektive, raporton Llapi.info.
Të shtunën nga kjo komunë janë testuar 3 persona për COVID-19 dhe të njëjtit kanë rezultuar negativë. Ndërkaq, 14 mostra të dyshuara për këtë virus janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
“Dje janë testuar te Klinika Infektive në Prishtinë tre qytetarë nga Podujeva dhe të njëjtit kanë rezultuar negativë për koronavirus. Ndërsa, 14 qytetarë të kësaj komune i kemi drejtuar në Klinikë për t’u testuar dhe jemi në pritje të rezultateve. Fillimisht ne kemi bërë listën më të madhe për testim, por na është kërkuar që t’i reduktojmë dhe t’i kemi parasysh vetëm ato raste kontakti që kanë simptoma dhe sëmundje tjera kronike. Pra, nga ajo listë i kemi vetëm 14 qytetarë që do të testohen për virusin korona”, ka thënë Rama.
Rama ka shtuar se këto ditë nga kjo komunë nuk ka pasur ndonjë pacient të shëruar, derisa ka shtuar se nesër t’i nënshtrohen ri-testimit personat që para rreth tri jave kanë rezultuar pozitivë.
“Nesër do të ri-testohen pesë pacientë që kanë dalë pozitivë javë më parë në Podujevë, për të parë se a janë shëruar. Tash për tash i kemi 20 raste aktive, ndërsa vetëm një e kemi në Klinikë për trajtim”, ka thënë Rama, duke shtuar se gjendja e të infektuarve momentalisht është e mirë dhe stabile.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të dielën ka regjistruar 96 raste të reja me COVID-19.
Sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit edhe 29 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 1,047.
Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,169 raste me virusin korona. Prej tyre, 36 pacientë kanë vdekur, e që të njëtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info