Janë bërë më shumë se një vjet e gjysmë prejse Podujeva ka mbetur pa bibliotekë të qytetit. E vetmja që funksiononte në objektin e ish-Komitetit u rrënua për t’u zgjeruar një rrugë në këtë komunë. Prej asaj kohe, lexuesit s’kanë ndonjë vend të posaçëm, shkruan Llapi.info.

Në shtator të vitit 2018, ekskavatorët nisën punën për ta rrënuar një objekt jo fort larg Komunës së Podujevës. Në të njëjtin qëndronte edhe biblioteka e qytetit. Rrënimi i tij u bë me shkas që të zgjerohet rruga e “Xhamisë”. Gati dy vjet janë bërë, por Komuna e Podujevës ende s’e ka bërë një zgjidhje për librat e asaj biblioteke që dikur frekuentohej.

Zyrtarët patën thënë për Llapi.info se shumë shpejt Komuna e Podujevës pritët të marrë përkohësisht epitetin e bibliotekës së qytetit. Të gjitha librat do të zhvendoseshin në këtë objekt. Përkundër që këto premtime ishin bërë në fillim të vitit 2019, Podujeva s’ka një vend për studentët dhe nxënësit e kësaj komune. Komuna nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje.

Debate me akuza të shumta pati edhe nëpër seanca të ndryshme në lidhje me këtë çështje, gjersa të njëjtat kaluan edhe në personale.

U mor vendim që biblioteka e qytetit të vendoset në objektin e vjetër të Komunës, kur personeli i administratës të kalojë në objektin e ri. Por, kjo ende s’është realizuar.

Administrata e re komunale tashmë është funksionalizuar. I gjithë personeli tashmë është bartur nga objekti i vjetër në atë të ri. Por, biblioteka s’është bartur në objektin e vjetër të Komunës. Tani është një premtim i ri dhe ngjason me atë të vjetrin. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi i ka thënë portalit Llapi.info, se shumë shpejt do t’i bëhet një zgjidhje kësaj pune.

“Komuna shumë shpejt do të marr një vendim se çfarë do të bëhet me objektin e vjetër të administratës komunale dhe çështjen e bibliotekës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, studentët dhe nxënësit e kësaj komune po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të një vend-leximi, teksa shkresë zyrtare kanë dërguar edhe te Kuvendi i Podujevës. Ata i kanë dërguar edhe në Llapi.info nënshkrimet.

Kritika në drejtim të ekzekutivit ka hedhur sërish opozita e Podujevës. Këshilltarja e VV-së, Doruntinë Hasani ka thënë për Llapi.info se si pasojë e mungesës së një vendi, sipas saj, librat kanë filluar të kalben nëpër bodrume.

“Sa i përket kësaj çështje, e njëjta pyetje ka qenë e deleguar nga unë në Kuvendin Komunal në seancën e fundit. Realisht po bëhen dy vite që libri ka qenë i papërdorur, përkundër insistimeve tona që të barten në njërën prej objekteve që i ka në pronësi Komuna, mirëpo kjo ka hasur në vesh të shurdhër. Sipas informatave që i kemi, thuhet se një pjesë e librave janë kalbur në bodrume për shkak të lagështisë, mirëpo edhe pse pyetjet tona ishin pothuajse në çdo seancë, asnjëherë nuk u përgjigjen. Objekti i Komunës së vjetër është i papërdorur dhe nuk ka asnjë renovim në të që të jep shpresë se biblioteka po bartet. Fatkeqësisht, duke se kjo gjendje do të vazhdojë”, ka thënë Hasani.

Mungesën e një vendi për lexim tash e një kohë të gjatë e ka kundërshtuar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në këtë komunë, Fatmir Rudari ka thënë për Llapi.info se përkundër që studentët kohë më parë kanë bërë kërkesë në Komunë për një sallë, ata ende s’kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Unë e kam ngritur në Kuvend këtë çështje. E kam pasur një kërkesë prej disa studentëve për t’iu siguruar një sallë për lexim, sepse ata janë ankuar që s’po kanë ku të lexojnë. Në të njëjtën kërkesë tregohet koha kur është dërguar dhe s’kanë marrë përgjigje”, ka thënë Rudari.

Duhet potencuar se përgjatë seancave të ndryshme të mbajtura në Kuvendin e Podujevës, është kërkuar që t’i bëhet një zgjidhje që literatura e bibliotekës të bartet në ndonjë sallë apo edhe shkolla, mirëpo këto propozime s’patën kaluar me shumicë votash në Kuvend./Llapi.info