Komuna e Podujevës nuk ka arritur as pas tre vjetësh ta zbatojë një vendim të asamblesë komunale për emërtimin e një sheshi të dëshmorëve dhe vendosjen e një monumenti të Zahir Pajazit, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit.

Për opozitën, mosimplementimi i një vendimi të tillë, as pas tri vjetëve, është skandaloz dhe neglizhencë e komunës, raporton KTV.

Opozita thotë se Podujeva është komuna pothuajse e vetme, e cila ka mbetur pa monumente të heronjve të saj.

E komuna, as pas tre vjetësh, nuk ka një plan për zbatimin e këtij vendimi. Zyrtarët e Podujevës thonë se ky projekt është i kushtueshëm, andaj po presin që të gjejnë një donator, i cili do të realizonte një monument të tillë, transmeton Koha.net.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me ish-kryesuesin e Kuvendit Komunal, Hazir Raçi, i cili në atë kohë e kishte nënshkruar vendimin për këtë monument, por ai nuk e ka hapur telefonin./KTV