Komuna e Podujevës ka kaluar në zonën e verdhë, duke u larguar kështu nga zona me rrezikshmëri të lartë sa i përket infeksionit me COVID-19, raporton Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur Komuna e Podujevës në një komunikatë për medie.
Sipas njoftimit, pas rënies së numrit të rasteve aktive dhe i atyre të reja, komuna e Podujevës ka dalë nga zona e kuqe.
“Ministria e Shëndetësisë ka bërë sot kategorizimin e ri të komunave, sipas numrit të personave të infektuar me coronavirus. Pas rënies së numrit të të infektuarve në komunën tonë, me vendimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë, Komuna e Podujevës është larguar nga zona e kuqe, duke kaluar kështu në zonën e verdhë. Me këtë (kalimin në zonën e verdhë) hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve. Ju lusim të vazhdoni të respektoni masat e vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Komuna e Podujevës pati hyrë në zonën e kuqe më 11 nëntor të vitit të kaluar, pas numri i rasteve aktive ka qenë rreth 500./Llapi.info