Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Burghandt Fȕlling – deputet nga Bashkia Velbert e Gjermanisë, i cili njëherësh është nënkryetar i CDU-së për Landin Nordrhein-Westfalen, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin në mes të Komunës së Podujevës dhe Velbertit.
Gjatë takimit Veliu informoi mysafirët nga Velberti për investimet e bëra në Komunën e Podujevës dhe mundësitë për investime në sektorë të ndryshëm duke thënë se janë bërë investime në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit, kanalizimit dhe projekte të tjera që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Veli tha se Komuna e Podujevës ofron kushte të mira për investime në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë, por edhe në sektorë të tjerë.
“Komuna e Podujevës është fokusuar në zhvillimin e bujqësisë dhe për këtë qëllim çdo vit jemi duke shtuar subvencionet për fermerët në këtë sektor”, tha Veliu, duke potencuar se Podujeva tashmë është bërë qendër referente për kultivimin e mjedrës.
“Deri tash kemi të mbjella diku rreth 500 hektarë me mjedër, kurse Komuna edhe sivjet do të subvencionojmë fermerët me fidanë për mbjellje të sipërfaqeve të reja me këtë kulturë”, tha Veliu.
Ndërsa, Burghandt Fȕlling i vlerësoi investimet e bëra në Komunën e Podujevës dhe tha se së bashku me kryetarin Veliu, janë duke shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë për investimeve konkrete në fusha të ndryshme.
Krahas mundësive të investimeve në sektorë ekonomikë mysafirët nga Gjermania u interesuan edhe për funksionimin e sistemin arsimor dhe shëndetësor.
Gjatë vizitës në Komunën e Podujevës delegacioni nga Gjermania ka vizituar edhe Fabrikën e veshjeve sportive “S//SPRINT” dhe fabrikën për prodhimin e vajrave eterike “Leon Company” SHPK” në Letanc dhe serrat e fermerit Sadat Ferati, kultivues i perimeve.
Ndërsa nesër, delegacioni gjerman do të zhvillojë një takim me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Mehmet Gashi dhe kryetarët e grupeve të këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Podujevës.
Vizita e delegacionit gjerman zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit mes Komunës së Podujevës dhe Velbertit të Gjermanisë, komuna këto të cilat janë në fazën finale të procesit të binjakëzimit.