Në organizmin e Shoqatës për Personat e Pagjetur “Përkorë” të Podujevës, në Orllan u mbajt një takim me familjarët e personave të zhdukur.
Familjarë nga Podujeva kanë kërkuar zbardhjen e fatit edhe të 40 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Në takimin që është mbajtur në fshatin Orllan, është biseduar për aktivitetet që janë duke u zhvilluar për hulumtimin e vendeve të dyshuara për varreza masive si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë se tashmë janë duke u kryer gërmimet në rrethin e Rashkës në Serbi, ku dyshohet për varrezë masive. “Ai foli edhe për dyshimet se varreza masive mund të ketë edhe në veri të Kosovës. Për punën e Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe procesin e identifikimit të mbetjeve mortore në Morgun e Prishtinës, foli edhe Dr. Naim Uka. Ndërsa, familjarët e personave të pagjetur kërkuan intensifikim të aktivitetit për zbardhjen e fatit të pagjeturve, për të cilët tash e 16 vjet nuk dihet. Ata falënderuan Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për ndihmën dhe përkrahjen që iu ka ofruar familjeve që nga përfundimi i luftës dhe kërkuan që të vazhdojnë misionin e tyre humanitar, në mbështetje të kësaj kategorie”, thuhet në komunikatën për media të Shoqatës “Përkorë”.
Në emër të Komunës së Podujevës përkrahje për familjet e të pagjeturve premtoi Agron Hyseni, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
“Sipas Latif Mehmetit, kryetar i Shoqatës së Personave të Pagjetur ‘Përkorë’, në komunën e Podujevës ende evidentohen si të zhdukur në luftën e fundit edhe 40 persona. Ndërsa në gjithë Kosovën janë edhe 1,671 persona të pagjetur”/Llapi.info.