Grupi punues për hartimin e propozimit të planit komunal për menaxhimin e mbeturinave ka mbajtur takim të rregullt për koordinimin e aktiviteteve për pastrimin e ambientit, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në takim u mor vendimi që 22 prilli “Dita e Tokës” të shënohet me aktivitete vullnetare për pastrim dhe mbjelljen e luleve në lokalitete të ndryshme, me fokus “Parkun e Paqes”, ndërsa aksioni me pjesëmarrje masive do të organizohet më 24 maj kur edhe është aksioni “Ta Pastrojmë Kosovë”.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili shprehu mbështetjen e plotë për Grupin punues dhe ftoi për rritje të dinamikës në punë për të gjithë mekanizmat komunalë që kanë fushëveprim ambientin dhe mbrojtjen e tij.
Veliu premtoi angazhim dhe aksione të vazhdueshme deri në stabilizimin e gjendjes dhe eliminimin e të gjitha deponive ilegale në territorin e Komunës së Podujevës.
Krahas kësaj, Veliu kërkoi koordinim dhe veprime të përbashkëta nga të gjithë faktorët për largimin e deponive dhe lansimin e fushatave sensibilizuese për rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë.
Sipas këtij njoftimi, rëndësi e veçantë gjatë zhvillimit të fushatave do t’i kushtohet edhe thirrjes drejtuar komunitetit për lidhjen e kontratave me dy kompanitë që funksionojnë në Podujevë, për mbledhjen e mbeturinave.
Për organizim sa më të suksesshëm Grupi punues gjatë ditëve në vazhdim do të identifikojë deponitë ilegale, do të zhvilloi takime me komitetet e fshatrave dhe do t’u bëjë ftesë kompanive të ndryshme private dhe publike për të ofruar ndihmë në mënyrë që aksioni të jetë sa më masiv dhe i suksesshëm./Llapi.info