Partia e dytë më e madhe në Podujevë, PDK, sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal në këtë komunë, ka gjetur përkrahjen e të gjithë grupeve tjera parlamentare për miratimin e një deklarate e cila ka të bëj me lirimin e ish- komandantit të UCK- së, Ramush Haradinaj i cili është i ndaluar nga autoritetet franceze dhe po trajtohet nga Gjykata e Comar-it, pas një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia.
Këtë e ka kërkuar shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK- së, Rafet Llapashtica i cili tha se pret përkrahje edhe nga këshilltarët tjerë që ti dhënë mbështetje këtij propozimi, shkruan Llapi.info.
“Organi legjislativ i Komunës së Podujevës, më saktë këshilltarët e Asamblesë Komunale, sot në këtë mbledhje të Kuvendit të fusin si pikë të rendit të ditës kërkesën kryesore për lirimin e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministrit të Kosovës z.Ramush Haradinaj, i cili po mbahet i ndaluar nga autoritetet franceze, sipas një urdhërarrestimi të lëshuar nga Serbia”, tha Llapashtica.
Në këtë deklaratë në të cilën kërkohet nga organet e drejtësisë franceze që me procedurë të përshpejtuar të shqyrtohet rasti Haradinaj, gjegjësisht keqpërdorimi i Interpolit nga ana e Serbisë, nuk është kërkuar ndërprerja e bisedimeve me Serbinë. E për këtë, shefi i grupit parlamentar të LVV- së, Haki Rudari tha se përkrahë këtë deklaratë mirëpo, kjo nuk mjafton pasiqë të kërkohet deklaratë e tillë e të mos kërkohet ndalja e bisedimeve me Serbinë, është hipokrizi.
Përveç kësaj, në këtë deklaratë është kërkuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës “në procesin e dialogut me Serbinë të vendos që si pikë prioritetare të jetë heqja e fletarrestimit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse në të kundërtën kjo cenon sovranitetin e Kosovës.Z.Haradinaj ka dëshmuar me shkuarjen vullnetare në Tribunalin e Hagës në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, i cili Tribuna në dy shkallët e vendosjes e ka konfirmuar pafajësinë për të njëjtën akuzë”
“Gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës, posaçërisht gjatë viteve 1998-1999 e dënuan të gjitha shtetet demokratike të botës dhe e ndëshkuan me intervenimin e Aleancës më të fuqishme të botës NATO, ku një ndër shtetet më aktive ishte Franca. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shteti francez ishte ndër të parët e bëri njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, këtë e vërtetoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” thuhet në këtë deklaratë.
Tutje, në këtë deklaratë thuhet që “Kuvendi Komunal i Podujevës kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që në asnjë rrethanë të mos nëpërkëmbën vlerat kombëtare e që në këtë rast përfaqësuesi denjë i këtyre vlerave kombëtare është edhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj. Duke qenë dëshmitarë dhe duke ditur krimet e kryera nga Serbia gjatë kohës së okupimit por edhe të luftës në Kosovë, kërkojmë në mënyrë unanime që KK i Podujevës edhe pse me vonesë të tepruar të ngris padi zyrtare ndaj shtetit të Serbisë, por edhe personave fizikë serbë të cilët kryen krime dhe masakra ndaj popullatës civile në Komunën e Podujevës gjatë periudhës së okupimit dhe luftës në Kosovë”.
Këtë e mbështeti edhe shefi i këshilltarëve të LDK- së, Fidan Rekaliu. Ndërsa, këshilltari i AAK-së, Nexhat Llumnica, tha se e përshëndes këtë iniciativë dhe se kjo është e mirë kur bëhet nga një grup tjetër politik.
“E përshëndes iniciativën e Grupit të PDK-së. Është mirë se kjo bëhet nga një grup tjetër dhe nuk ndahen vlerat e UÇK-së. Brenga e Ramush Haradinajt nuk është brengë vetëm personale e tij, po brengë e tij është edhe muri në Mitrovicë e bisedimet”, tha Llumnica./Llapi.info