Sot është mbajtur manifestimi për ndër të 80-vjetorit të lindjes së Adem Damaçit dhe për nder të përvjetorit të 138 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në sallën e kinemas së qytetit të Podujevës, njofton Llapi.info.
Manifestimi me moton “Adem Demaçi, nga Rilindja kombëtare deri në përjetësi”, u oranizua nga nënkëshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Podujevë, ku në emër të organizatorëve foli profesori Fehmi Blakqori i cili tha se ky manifestim u bë për të nderuar veprimtarinë e Nderit të Kombit, Adem Demaçit.
“Jemi mbledhur sot në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të nderuar në mënyrë tonë më të sinqertë veprimtarinë e simbolit e shkrimtarit e Nderit të Kombit, Adem Demaçit. Kemi pasur fatin që në kuadër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut një pjesë të mirë të veprimtarisë sonë ta kemi për udhëheqës Bacën Adem”- tha ndër të tjera Blakqori.
Figurën dhe veprën e Demaçit e çmoj lart edhe hisoriani Hakif Demolli i cili foli për jetën dhe veprimtarinë kombëtare të Demaçit duke e cilësuar atë njërin ndër liderët më të mëdhenjë shqiptarë të shekullit të njëzetë dhe këtij fillim shekulli.
Përpos, Demollit për jetën dhe veprimtarinë e Demaçit foli edhe profesori e poeti Agim Vinca i cili tha se vepra letrare e Adem Demaçit është e hapur ndaj jetës, botës e natyrës.
“Duhet të lexohet krijimtaria e Adem Demaçit për të parë se në themelet e saj qëndron ideja sumbile e lirës së popujve si kusht i paqes dhe prosperitetit” –shtoi më tutje poeti Vinca.
Për jetën, veprën dhe krijimtarinë letrare e atëdhetare të Demaçit foli edhe publicisti Fadil Lepaja, si dhe në pamundësi për të qenë prezent Demaçi dhe familja e tij, në emër të tyre të pranishmit i përshëndeti Ilaz Pireva.
Ky manifestim u mbyll pas interpretimit të disa këngëve të korit të qytetit./ Llapi.info