Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për avancimin e turizmit në Podujevë.

Memorandumi është nënshkruar me kryetarin e Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hotin.

“Veliu e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nënshkrimin e këtij memorandumi, meqë komuna e Podujevës ka një potencial të pasur natyror për zhvillimin e turizmit rural”, shkruhet në një njoftim për media.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Baki Hoti, i cili kishte thënë se shoqata që ai drejton ka shprehur gatishmëri për një bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Podujevës.

“Marrëveshja e nënshkruar parasheh inicimin e bashkëpunimit në sektorin e turizmit dhe shkëmbimin e përvojave; bashkëpunimi në projektet me interes të përbashkët; stimulimi i turistëve për ta vizituar Komunën e Podujevës; përpilimin e materialeve të marketingut; shkëmbimi i materialeve promovuese dhe përfshirja e Podujevës në paketat turistike”, thuhet më tej në njoftimin e Komunës.