Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim drejtorin Ekzekutiv të Peer Educators Network (PEN), Bujar Fejzullahu, me të cilin ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi për rritjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje.

Në këtë takim është nënshkruar memorandum mirëkuptimi për realizimin e projektit “Të veprojmë për barazi”, i cili është projekt i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e që realizohet nga organizata PEN, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Ky projekt ka për qëllim mobilizimin e qytetarëve për tu angazhuar në komunitet dhe në strukturat jo formale vendimmarrëse, ndërsa objektiv parësor i projektit është fuqizimi i grave të reja për tu angazhuar në këshilla të fshatrave dhe në adresimin e çështjeve të përbashkëta.

Kryetari Veliu shprehu përkrahjen e plotë për realizimin e këtij projekti, duke potencuar komunikimin dhe bashkëpunimin e mirë që ka komuna e Podujevës me këshillat e fshatrave.

“Ne, si ekzekutiv, kemi takime të rregullta, por edhe takime që organizojmë në partneritet me mekanizma të tjerë. Me përfaqësuesit e fshatrave kemi bashkëpunim të rregullt në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin ku ata jetojnë”, tha Veliu.

Ndërsa, duke iu referuar pjesëmarrjes së grave në këto këshilla, kryetari Veliu tha se Komuna e Podujevës në vazhdimësi në të gjitha dikasteret e saj promovon dhe nxit rritjen e aktivizimit të gruas, duke krijuar edhe përparësi të ndryshme, qoftë tek subvencionimet, ose edhe të bërit biznes.

Drejtori i PEN, Bujar Fejzullahu, falënderoi Veliun për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim. Ai e njoftoi Veliun për aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të projektit, si dhe rolin e rëndësishëm që do ta ketë projekti në rritjen e pjesëmarrjes se grave në vendimmarrje./Llapi.info