Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës me vazhdimin e trendit të rënies së rasteve kriminale të raportuara. KKSB gjithashtu ka debatuar për masat që duhet ndërmarrë dhe planet operacionale për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit së verës dhe të shtënave me armë në ahengje dhe manifestime publike.
Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të kryesuar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është analizuar gjendja e sigurisë në komunë, përgatitjet për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës si dhe sensibilizimi dhe inicimi i aktiviteteve për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Podujevë, në periudhën prill-maj 2015 ka raportuar Antigona Çitaku – Dibrani, rreshtere në Stacionin e Policisë në Podujevë, duke thënë se në territorin e Komunës së Podujevës vazhdon të mbretërojë një gjendje e qetë dhe stabile e sigurisë.
Rreshterja Çitaku-Dibrani ka thënë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është shënuar rënie e rasteve kriminale dhe veprave të tjera të raportuara në polici. Ajo tha se policia tashmë është duke zbatuar planin operativ veror.
Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës e ka vlerësuar stabile dhe të qetë. Ndërsa ka përcjellë shqetësimin e banorëve nga lokalitete të ndryshëm për rrezikun që paraqesin qentë endacakë, sidomos për fëmijët-nxënës.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e vlerësoi si shumë inkurajues faktin se në Komunën e Podujevës vazhdon të ketë trend të rënies së veprave kriminale.
“Rënie e numrit të veprave dhe aktiviteteve të ndryshme kriminale është një lajm i mirë për të gjithë neve, por mbi të gjitha për qytetarët e komunës sonë. Sigurisht se meritor për një gjendje të mirë të sigurisë janë vetë qytetarët, policia dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë”, ka thënë Veliu.
Në mbledhjen e KKSB u bisedua edhe për përgatitjet për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit së verës.
Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Milaim Ajvazi, tha se ky shërbim është duke kryer fazën e përgatitjeve teknike dhe operacionale, me theks të veçantë riparimin dhe servisimin e pajisjeve dhe automjeteve zjarrfikëse.
Ai potencoi nevojën e rritja e shkallës së sensibilizimit qytetar për të parandaluar rënien e zjarreve në hamullore dhe pyje, si dhe rritjen e nivelit të vrojtimit nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe të policisë.
Përkundër numrit të pamjaftueshëm të zjarrfikësve, Ajvazi tha se ky shërbim sivjet është më i përgatitur, pasi që është pajisur edhe me dy automjete për fikjen e zjarrit.
Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, tha se nevojitet një sensibilizim më i madh i qytetarëve, sidomos bujqve që të mos ndezin hamulloret, sepse përveç rrezikut që paraqesin zjarret, djegia e hamullorëve edhe dëmton plleshmërinë e tokës.
KKSB gjithashtu debatoi edhe lidhur me aktivitetet për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike. Lidhur me këtë çështje u tha se nevojitet një sensibilizim i vazhdueshëm i opinionit për rrezikun që paraqet për qytetarët çdo e shtënë nga armët e zjarrit.
Rreshterja Çitaku-Dibrani tha se edhe sivjet policia në kuadër të planit operacional veror do të zbatojë fushatën sensibilizuese “Festo me zemër, jo me armë” dhe do të jenë përqendruar në parandalimin e të shtënave me armë zjarri nëpër dasma, ahengje familjare dhe manifestime të tjera publike. Në takim u kërkua që edhe përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame (imamët e xhamive) të ndihmojnë në eliminimin e kësaj dukurie negative./Llapi.info