Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komuna e Podujevës dhe Caritas Kosova kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për projektin ”Ngritja e përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës”.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga ministrat Imet Rrahmani e Arban Abrashi, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi, është ngritja e përkujdesit shëndetësor shtëpiak dhe ambulantor ne Podujevë, duke mbështetur institucionet ekzistuese shëndetësore të kësaj komune.

Përmes projektit do të ndihmojë QKMF-në në realizimin e vizitave për të gjithë pacientët që e marrin mjekimin në shtëpi; të gjithë ata pacientë të cilët për arsye të ndryshme shëndetësore nuk kanë mundësi që t’i vizitojnë objektet e QKMF-së si dhe ka për qëllim që përmes stafit të ri profesional të ndihmojë që të ngrihet cilësia e shërbimeve shëndetësore, në veçanti në zonat rurale.

Periudha kohore e implementimit të projektit në vlerë prej 115 mijë euro, është nga data 15.02.2017 deri më 15.08.2017.