Kuvendi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për mbrojtjen ligjore të vlerave natyrore, Planin Lokal të Veprimit për Riintegrim dhe Planin e punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2016, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu, informoi kuvendin se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, i cili veproi në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë vitit 2014/15 në bashkëpunim me zyrtaret komunal ka evidentuar vlerat natyrore në Komunën e Podujevës.

“Gjatë vizitave në terren janë evidentuar gjithsej shtatë objekte të trashëgimisë natyrore,të cilat janë monumente të natyrës. IKMN i propozon që Kuvendi Komunal i Podujevës të nxjerr vendim për mbrojtjen ligjore të vlerave natyrore”, ka thënë Salihu.

Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje Kuvendi mori vendim që të merren në mbrojtje, si monumente të natyrës: Trungu i shpardhit – Dyz; Trungjet e dushkut – Llapashticë e Epërme; Trungu i dushkut – Llapashticë e Epërme; Vrella dhe trungu i ahut – Dobratin; Trungu i plepit– Murgullë; Trungu i plepit – Gërdoc dhe trungu i plepit- Orllan.

Kuvendi gjithashtu ka miratuar Planin Lokal të Veprimit për Riintegrim në Komunën e Podujevës.

Lidhur me Planin e punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2016, këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, kërkoi që të futen në plan të punës edhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm dhe Planifikimet e Zyrës së Prokurimit.

Lidhur me këto çështje, kryetari Veliu tha se sa i përket auditimit, Raporti i Auditorit të Përgjithshëm është ai që më së miri tregon se procedurat e prokurimit në Komunën tonë janë zhvilluar sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

“Në bazë të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Podujevës vitet e fundit është ndër komunat më të mira, duke marrë vlerësime të pakualifikuar. Kjo tregon se në nuk kemi pasur asnjë shkelje të ligjit. Kjo edhe ka bërë që Komunës sonë t’i hapet rruga që me projektet e saj të hyjë në marrëdhënie kontraktuale edhe me organizma ndërkombëtarë. Ndërsa, plani i Punës së Prokurimit, është publik dhe atë mund ta gjeni në faqen e KRPP, por edhe në zyrën e Prokurimit në formë fizike”, ka thënë Veliu.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë Kuvendi miratoi Planin e punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2016.

Poashtu, sot në mbledhjen e KK, këshilltarja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Mrika Thaçi ka njoftuar Kuvendin se nga seanca e sotme, aktivitetin e saj si këshilltare do ta ushtrojë si anëtare e Grupit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës./Llapi.info