Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Podujevës njofton se këtë vit nuk do të ketë hapje të sezonit të gjuetisë deri në një vendim të organeve kompetente. Kjo për shkakun se në Komunën e Podujevës aktualisht, asnjë subjekt nuk posedon kontratë të vlefshme për menaxhim të vend gjahishtes, transmeton Llapi.info.
Sipas këtij njoftimi hapja e sezonit të gjuetisë nuk është kompetencë e Shoqatave të Gjahtarëve.
“Pas vlerësimit të situatës së krijuar në lidhje me menaxhimin e vend-gjahishtës së përbashkët në territorin e Komunës së Podujevës, NJOFTOHEN të gjithë akterët e interesuar dhe subjektet me përgjegjësi ligjore se: Sipas Ligjit për Gjuetinë Nr. 02/L-053, Neni 8, paragrafi 2,3 dhe 4, shpallja e hapjes së sezonit të gjuetisë është kompetence e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe assesi e Shoqatave të Gjahtarëve”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Më tutje, kjo drejtori kërkon nga të gjithë gjahtarët që veprojnë në territorin e Komunës së Podujevës të vetëpërmbahen dhe të respektojnë rregullativat në fuqi.
Gjithashtu, kërkohet nga organet e rendit-Policisë së Republikës së Kosovës, rojet e pyllit, si dhe inspektorët për Pylltari dhe Gjueti të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme për të siguruar respektimin e rregullativës në fuqi./Llapi.info