Foto: Llapi.info

Sikurse vitin 2017, edhe në vitin 2018 Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ndarjen e subvencioneve nga ana e Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info

Komuna pati ndarë subvencione për OJQ në organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30/03/2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin. Komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve.

Këto gjetje i ka regjistruar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për qeverisjen e Komunës së Podujevës në vitin 2018.

“Rregullorja 04/20176 lidhur me subvencionimin e OJQ neni 16 përcakton kriteret dhe proceduarat e vlerësimit të aplikacioneve. Për subvencionimin e OJQ-ve për organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30/03/2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin. Komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve. Për më tepër, një aplikues kërkesa e të cilit figuronte në librin e protokollit, nuk figuronte fare në lisën e aplikuesve. Komuna arsyetohet me faktin se kjo rregullore ka filluar se zbatuari në qershorin e vitit të kaluar dhe ende nuk janë familjarizuar mirë me kërkesat që dalin nga ajo. Derisa sipas tyre, aplikuesi që nuk është në listë nuk kishte qenë rezident”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka potencuar se mosrespektimi i kritereve çon në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve.

“Mos respektimi i rregulloreve të vendosura nga ministria, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton direkt përfituesit potencial”, thuhet në rrezikun që ZKA-ja ka publikuar në raportin për vitin 2018.

“Kryetari, duhet t’i forcojë kontrollet mbi menaxhimin e subvencioneve dhe të sigurojë që subvencionet ndahen në përputhje me kriteret e vendosura në rregullore, në mënyrë që përfituesit të renditen sipas pikëve në bazë të cilave edhe marrin shumën e përcaktuar”, ka rekomanduar Zyra Kombëtare e Auditimit./Llapi.info