Qytetarët e Podujevës janë në hall me llavat e qenve endacakë që sillen vërdallë rrugëve të qytetit. Ata kanë ‘pushtuar’ secilën rrugë, institucione arsimore, shëndetësore e parqe të qytetit, teksa edhe zyrtarët komunalë e kanë pranuar se rreziku dhe numri i tyre është i madh, njofton Llapi.info
Në mungesë të strehimit, qentë bredhin rrugëve. E, tani kur edhe jemi në stinën e dimrit, qentë në shumicën e kohës gjenden pranë kontejnerëve apo afër hapësirave të ndërtesave banuese duke kërkuar ushqim e strehim. Në mungesë të ushqimit, shpeshherë ata dinë të bëhen edhe agresivë e që kjo gjë po paraqet në vazhdimësi problem për qytetarët llapjanë.
Edhe pse janë ndarë 1.3 milion euro nga Qeveria e Kosovës për realizmin e projektit për trajtimin e tyre, projekt ky i realizuar edhe në Komunën e Podujevës, rreziku vazhdon të jetë i madh. Alternativë e vetme është strehimi i tyre.
Duke pasur parasysh rrezikun që iu kanoset qytetarëve, në Komunën e Podujevës thonë se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria për të eliminuar rrezikun e tyre. Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi ka thënë për Llapi.info se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK), kompania e kontraktuar ka realizuar projektin, siç është e përcaktuar me ligj.
“Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë 1.3 milion euro për realizimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë. Ky projekt është realizuar përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) edhe në Komunën tonë. AVUK, përmes kontraktimit të praktikave të licencuara veterinare për kryerje të shërbimeve, ka realizuar projektin, sipas të cilit ishte paraparë: zënia e qenve, mjekimi (vaksinimi dhe trajtimet e nevojshme mjekësore), kastrimi, sterilizimi dhe ne raste të veçanta eutanazi (për eutanazi ka vendosur veterinari duke respektuar aktet ligjore ne fuqi)”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, edhe pse është realizuar ky projekt numri i qenve endacakë në Podujevë është i madh. Thotë se Komuna do të kërkojë ndihmë edhe te Qeveria e Kosovës.
“Mirëpo, pavarësisht realizimit të këtij projekti, në territorin e Komunës tonë vazhdon të ketë numër të madh të qenve endacakë, të cilët paraqesin rrezik për qytetarët. Komuna sërish do të kërkojë nga Qeveria që të gjendet mënyra dhe të ndërmerren masa për të eliminuar rrezikun nga qentë endacakë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, edhe qytetarët shprehen se largimi i tyre nga qyteti është alternativë e domosdoshme. Duhet përkujtuar se sulmet e qenve ndaj qytetarëve në Podujevë nuk ka qenë i vogël në vitet paraprake./Llapi.info