Foto: Llapi.info

Janë bërë më shumë se gjashtë muaj që Podujeva ka mbetur pa bibliotekë të qytetit. Kjo, pasi që edhe ajo që ekzistonte është rrënuar për t’u ndërtuar dhe zgjeruar “Rruga e Xhamisë”.  Ky vendim për rrënimin këtij objekti e kanë kundërshtuar partitë opozitare, njofton Llapi.info

Në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, duke shpalosur informatën e drejtorisë për periudhën e parë 2018-19, ka thënë se procesi mësimor ka shkuar në rregull, ani pse edhe vetë thotë se ka pasur eksese.

Këtë informatë e ka përkrahur grupi i këshilltarëve të LDK-së. Shefi i këtij subjekti politik, Avni Fetahu ka thënë se kjo informatë është e dobishme. Ai ka kërkuar që sa më shpejt nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për funksionalizimin e bibliotekës së qytetit e cila u rrënua muaj më parë. Fetahu ka përmendur edhe një model që sipas tij do të ishte e dobishme.

“…Krahas funksionalizimit të bibliotekës së qytetit, që është përgjegjësi e Drejtorisë së Kulturës, mirëpo nuk anashkalohet as Drejtoria e Arsimit e cila do të krijonte një mundësi të mirë, të një modeli që Finlanda e ka aplikuar kohë më parë për me arrit me kriju edhe me dërgu libra nëpër shkolla në çdo fshat e qytet, e me këtë do të nxiteshin leximin tek nxënësit tonë”, ka thënë ai.

E për rrënimin e bibliotekës së vetme publike në Podujevë, kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë. Madje, Lëvizja Vetëvendosje në këtë Komunë pati ndërmarrë një aksion duke shpërndarë libra për nxënësit në sheshin ‘Ali Ajeti”.

Sipas këshilltares së këtij subjekti politik, Adelina Stublla, rinia e Llapit nuk kanë bibliotekë për më shumë muaj, teksa siç ka thënë ajo, punëtorët paguhen pa kryer punë fare.

Në anën tjetër, i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në debatin publik me qytetarë është shprehur tejet i lumtur me rrënimin e këtij objekti.

Pas rrënimit të bibliotekës së vetëm publike në Podujevë, objekti i tanishëm i Komunës së Podujevës pritet të shndërrohet në bibliotekë të qytetit.

Edhe në Komunën e Podujevës kanë thënë për Llapi.info se rrënimi i objektit, ku ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit është bërë për ndërtimin e “Rrugës së Xhamisë”.

“Pas rrënimit të objektit të vjetër administrativ, në të cilin ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit, fondi i librave është duke u ruajtur në një vend të sigurt. Biblioteka e qytetit, deri në ndërtimin e objektit të ri, do të transferohet përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale”, ka deklaruar muaj më parë zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi.

Derisa nuk janë dhënë detaje se kur pritet të fillojë ndërtimi i objektit të bibliotekës, deklaron se zhvendosja e librave do të bëhet së shpejti,  pasi administrata komunale të zhvendoset në objektin e ri./Llapi.info