Foto: Llapi.info

Në muajin shtator të vitit 2018, në Komunën e Podujevës është rrënuar objekti i ish-Komitetit në të cilën gjendej edhe Biblioteka e Qytetit, e krejt kjo, për t’u zgjeruar dhe asfaltuar rruga e “Xhamisë”. Por, tash e 8 muaj kjo Komunë nuk ka arritur t’iu ofrojë një zgjidhje lexuesve llapjanë, njofton Llapi.info

Bile për këtë çështje është kritikuar vazhdimisht ekzekutivi nëpër seanca të Kuvendit, madje edhe janë mbajtur aktivitete sensibilizuese. Ndërsa, në seancën e fundit, këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vendenis Lahu, ka kërkuar që në rend dite të hyjë edhe pika që t’i bëhet një zgjidhje kësaj çështjeje. Ai ka kërkuar që literatura e kësaj biblioteke të zhvendoset në dy shkolla fillore.

“Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, propozoj që rendit të ditës t’i shtohet edhe një pikë. Një propozim-vendim i cili literaturën e bibliotekës së qytetit ta zhvendosë në hapësirat e brendshme të shkollave “Naim Frashëri” dhe “Shaban Shala”, si dhe ambientet e brendshme të këtyre shkollave pas përfundimit të vitit shkollor 2018/19, të ofrohet në shërbim të lexuesve”, ka thënë Lahu, e që kjo pikë që të hyjë në rend dite u përkrahë nga të gjithë këshilltarët opozitarë.

Mirëpo, këtë propozim nuk e përkrahu partia në pushtet, LDK. Kjo, sipas shefit të grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Avni Fetahu, se së shpejti librat do të vendoset në objektin e Komunës, pasi që të bëhet bartja në objektin e ri.

“Ne u informuam nga drejtoritë përkatëse, dhe morën informata se së shpejti është t’u u planifikuar bartja e Komunës në objektin e ri, në të njëjtën kohë është paraparë vendi më i mirë me u vendos çështja e librave. Ne nuk po e kundërshtojmë, por ne morëm informata se së shpejti do të bartet komuna dhe do të vendoset biblioteka në këtë objekt”, ka thënë Fetahu, por që këto pretendime janë prej se kur është rrënuar objekti i ish-Komitetit.

Ndërsa, në një replikë, iniciatori i këtij propozim-vendimi, Vendenis Lahu, duke kërkuar që të votohet pasi që sipas tij, është e domosdoshme që llapjanët ta kenë një adresë për t’u furnizuar me literaturë, ka thënë se ky vendim është i përkohshëm, derisa t’i bëhet një zgjidhje.

Pas hedhjes në votim, ky propozim-vendim nuk ka kaluar me shumicë votash, pasi që kundër ka votuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ndryshe, në fillim të vitit 2019, zyrtarë nga Komuna e Podujevës i kanë thënë portalit Llapi.info se së shpejti do të bëhet vendosja e bibliotekës në objektin e vjetër të Komunës, por funksionalizmi i administratës së re është duke u zvarritur tash e tetë vite./Llapi.info