Janë bërë më shumë se shtatë muaj që Podujeva ka mbetur pa bibliotekë të qytetit. Kjo, pasi që edhe ajo që ekzistonte në objektin e ish-Komitetit është rrënuar për t’u ndërtuar dhe zgjeruar “Rruga e Xhamisë”. Vendimin për rrënimin këtij objekti e kanë kundërshtuar partitë opozitare, shkruan Llapi.info
Në lidhje me këtë çështje, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Podujevë, Donika Sfishta, ka thënë se përkundër që s’ka bibliotekë, lexuesit e interesuar kanë pasur qasje të pajisjen me librat e kërkuar. Thotë se ndërtimi i rrugës ka qenë shkak që objekti ku ka qenë biblioteka të rrënohet.
“Nga Komuna e Podujevës ka qenë e planifikuar që rruga në drejtim të xhamisë së qytetit të zgjerohet, respektivisht të ndërtohet një rrugë e re me standarde të reja. Në këtë aspekt gjatë vitit 2018, janë zhvilluar procedurat dhe është filluar projekti në fjalë, sipas së cilës është paraparë rrënimi i objektit të ish-Komitetit, në të cilën për disa vite ishte e vendosur biblioteka e qytetit”, është shprehur Sfishta.
Më tej, Sfishta ka theksuar se ka qenë e planifikuar që biblioteka të zhvendoset në objektin e vjetër të Komunës, por problemet teknike kanë bërë që Komuna të mos e marrë epitetin e bibliotekës.
“Planifikimet kanë qenë që pas zhvendosjes në objektin e ri të Komunës, biblioteka të bartet në objektin e vjetër e tanishëm. Por, në objektin e ri ka pasur disa vonesa rreth përfundimit të punimeve, kemi mbetur në këtë gjendje që jemi. E gjithë literatura, tekstet që kanë qenë në kuadër të objektit të bibliotekës së qytetit, përkohësisht janë deponuar në sallën e sportit të shkollës së mesme “Fan Noli”. Pavarësisht kësaj, biblioteka ka vazhduar të pasurohet me libra si dhe lexuesve të interesuar që përmes drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të furnizohen me literaturën e kërkuar”, ka thënë ajo.
Teksa Sfishta ka potencuar se lexuesit kanë pasur mundësi të furnizohen me literaturën e kërkuar, ka reaguar këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doruntina Hasani, e cila ka thënë se lexuesit nuk kanë mundur t’i marrin librat e kërkuar për shumë muaj.
Në lidhje me këtë, shefi i GK të LDK-së në Podujevë, Avni Fetahu ka kërkuar që të gjendet një mënyrë më e shpejtë për funksionalizimin e bibliotekës.
Në anën tjetër, opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur akuza të shumta në drejtim të ekzekutivit për mos-funksionalizim. Madje, këshilltari i këtij subjekti politik, Bajram Ajeti ka thënë se librat janë “burgosur”.
“Çështja e bibliotekës paraqet shqetësim i madh. Kur kujtojmë bibliotekën në vitet kur ka qenë vështirë dhe rëndë, dhe kur shohim sot të burgosur të keqtrajtuar dhe të terrorizuar librat e bibliotekës sonë, është shqetësim i madh. Kjo duhet të jetë alarm për shoqërinë tonë. Të teorizohet libri dhe të mos iu jepet e drejta e me shumë e 600 lexuesve, mendoj që kjo është për autokritikë”, ka thënë Ajeti.
Por, sipas këshilltares së VV-së, Adelina Stublla, të rinjtë nuk kanë bibliotekë për disa muaj, por siç ka thënë ajo, punëtorët marrin pagë pa punuar fare.
“Kemi ngritur edhe si çështje në seancë, por nuk është marrë asnjë gjë për të rinjtë llapjanë. Kështu që të rinjtë qe pesë muaj janë pa bibliotekë, librat i kanë dërguar në shkollën “Fan S. Noli”, kurse punëtorët marrin pagën pothuajse që pesë muaj pa kryer punë fare”, pati thënë ajo në një aksion të VV-së, ku edhe kanë shpërndarë libra për nxënësit në sheshin “Ali Ajeti”.
Ndërkaq, i lumtur për rrënimin e objektit të ish-Komitetit e që në të funksiononte edhe biblioteka, është shprehur i pari i Podujevës, Agim Veliu.
“Podujeva pa bibliotekë, jam shumë i lumtur që ai objekt është rrënuar. Në atë pjesë është bërë ndërtimi i rrugës buzë lumit Llap e cila i hap rrugë ndërtimit të projektit madhor, ‘Bulevardit të Dëshmorëve’”, pati thënë Veliu.
Kujtojmë, edhe komunarët për Llapi.info patën thënë se Komuna ka vendosur që derisa të ndërtohet objekti i ri i bibliotekës, e njëjta të zhvendoset përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale./Llapi.info